Socialistët ”rrëmbejnë” komisionin.Vasili: sjellje fshatareske !
Socialistët ”rrëmbejnë” komisionin.Vasili: sjellje fshatareske !
Konfliktet politike pushtojnë Parlamentin. Socialistët morën drejtimin e Komisionit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Ata fajësuan opozitën se po shtyn pa arsye projektligjin për Strehimin Social.
Elisa Spiropali: Përfitojnë familje në kushte të vështira ekonomike dhe që më parë nuk kishin kritere të përcaktuara qartë si mund të fitonin strehimin. Po bëheshin shpesh pre e synimeve politike të drejtuesve lokalë apo administratorëve, ligji përcakton qartë rregullat. Jemi shumë krenarë që kemi kaluar sot në komision dhe të enjten do ta diskutojmë në seancë.”
Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale Elisa Spiropali e drejtoi mbledhjen vetëm me deputetët socialistë, pa marrë miratimin e Kryetarit të Komisionit, Petrit Vasili. Ai kishte kërkuar të shtyhej me një ditë mbledhja për shkak të angazhimeve të shumicës së anëtarëve të Komisionit. Mbledhjen e njëanshme, Vasili e cilësoi një sjellje fshatareske .
Petrit Vasili: Veprim i trashë, provincial. Është një ditë skandaloze, ku dialogu politik sot shkatërrohet dhe një ligj i rëndësishëm për qytetarët plaçkit edhe ndonjë mundësi, që ka ndonjë qytetar në nevojë të marrë ndonjë banesë. Ligji për strehimin social po miratohet në mënyrë të shëmtuar, në mënyrë të njëanshme pa asnjë shkak, me dhunë, ditën e dialogut të madh nga një mazhorancë e çmendur...!”