Arabia Saudite e gatshme për trupat në Siri

Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, ritheksoi sot gatishmërinë e vendit të tij për të dërguar trupa në Siri, si pjesë e përpjekjeve që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara, për të stabilizuar gjendjen në vend.
“Jemi në bisedime me Shtetet e Bashkuara, prej kohës së fillimit të krizës, mbi dërgimin e forcave brenda Sirisë”, u shpreh Jubeir, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, sipas agjencisë AFP.

Komentet vijnë në përgjigje të një shkrimi në gazetën ‘Wall Steet Journal’, ku thuhej se presidenti amerikan, Donald Trump, po kërkon të bëjë bashkë forcat nga vendet arabe, përfshirë këtu trupa nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të ndihmuar në stabilizimin e Sirisë.

Më 14 prill, Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë dhe Francën kryen sulme në Siri, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma, ku u vranë dhjetëra persona, sipas REL.

Jubeir ka theksuar se propozimi i Arabisë Saudite për dërgimin e trupave në Siri “nuk është i ri”, duke shtuar se një propozim i tillë është shtruar edhe gjatë kohës kur Barack Obama ishte president i Shteteve të Bashkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *