Liria e Medies, “Reporterët pa Kufij”: Gazetarët në Shqipëri të rrezikuar.

Liria e Medies, “Reporterët pa Kufij” : Gazetarët në Shqipëri të rrezikuar edhe nga Kryeministri

Organizata “Reporterët pa Kufij” publikoi Indeksin e Lirisë së Medies 2018, ku kritikohet sjellja e udhëheqësve politikë, të cilët kanë rritur armiqësinë ndaj gazetarëve.

“Reporterët pa Kufij” pozicionojnë Shqipërinë në vendin e 75-të. Në raport kritikohet sjellja e Kryeministrit Edi Rama me gazetarët shqiptarë: “ Në vjeshtë, kryeministri Edi Rama sulmoi reporterët duke i quajtuar ata: “injorantë”, “helmues”, “sharlatanë” dhe “armiq publik.”

Raporti thekson edhe studimin e fundit të “Reporterëve pa Kufij” dhe BIRN për pronësinë e medies në Shqipëri. “ Një raport i përbashkët i “Reportërëve pa Kufij” dhe  Balkan Investigative Reporting Network “BIRN”, publikuar në Mars gjeti shumë problem në median shqiptare. Standartet rregullatore janë manipuluar në interes të qeverisë dhe pronësia e transmetuesve audio-vizuale është përqëndruar në pak duar të biznesmenëve të mëdhenj. Kjo ka krijuar një situatë me përhapje të gjerë të autocensurës, ku mbi 80 për qind e gazetarëve nuk kanë siguri për të ardhmen e tyre profesionale. Ata, të cilët, vazhdojnë të punojnë si gazetarë janë të ekspozuar nga një klimë sulmesh, shumica e tyre vijnë nga Kryeministri Edi Rama.”

Në një intervistë televizve në “ Fax News”, Shefja e Zyrës për Ballkanin dhe Europën në Organizatën “Reporterët pa Kufij”, Pauline Ades-Mevel shprehu shqetësim për sulmet politike dhe publike që u bëhen gazetarëve në Shqipëri. Duke iu referuar rastit të dhunimit të gazetarit Elvi Fundo, përfaqësuesja e lartë e “Reporterëve pa Kufij” deklaroi se janë të shqetësuar, se mund të ketë sulme edhe ndaj gazetarëve të tjerë.

Në klasifikimin botëror të “Reporterëve pa Kufij” për Lirinë e Shtypit 2018 denoncohet gjuha e udhëheqësve politikë, të cilët kanë nxitur rritjen e armiqësisë ndaj gazetarëve. Në referencë janë rastet tragjike të vrasjes së dy gazetarëve investigativë në Maltë dhe Sllovaki: Daphne Caruana Calizia dhe Jan Kuciak, pas hetimeve gazetareske për përfshirjen e qeverive të tyre në çështje korrupsioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *