Nikaragua, gazetari qëllohet për vdekje gjatë raportimit
Vritet gazetari gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të protestave antiqeveritare, në Nikaragua. Angel Gahona teksa raportonte për dëmin në një bankë në qytetin Bluefilds, u godit nga një plumb ndërsa transmetonte live në Facebook.
Gahona ra në tokë i mbuluar më gjak dhe njerëzit rreth tij thërrisnin të dëshpëruar për ndihmë. Autoritetet në Nikaragua, që po përballen me mjaft probleme si pasojë e valës së protestave, nuk komentuan gjatë vrasjen e gazetarit dhe thanë se po hetojnë ngjarjen.
Gazetari Angel Gahona nuk është viktima e vetme e dhunës në Nikaragua, ku gjatë ditëve të fundit janë vrarë në protesta edhe 10 persona të tjerë, megjithëse organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë për më shumë se 25 viktima. Protestat masive janë organizuar kundër ndryshimeve në ligjin e pensioneve të miratuara nga qeveria e presidentit Daniel Ortega.
Vendimi i qeverisë rriti kontributet për pensionet e punëtorëve dhe nëpunësve, por ul me 5 për qind përfitimet. Protestuesit e zemëruar kanë djegur ndërtesat qeveritare në shumë qytete ku autoritetet kanë dislokuar edhe ushtrinë, në përpjekje për të ruajtur rendin.
Protestat masive janë sfida më e madhe ndaj sundimit të Ortegës, që nisi në vitin 2007. Pas rizgjedhjes në 2016-ën, Ortega mori si zëvendëse bashkëshorten e tij Rosario Murrilo, çfarë nuk e shtoi aspak popullaritetin e tij.