Rama lexon në Parlament një “fletërrufe” për Ilir Metën

Me një tekst telegrafik, që i ngjante fletërrufeve të monizmit, kryeministri Edi Rama u duk se i dha drejtim vendimmarrjes së pritshme në Parlamentin e Shqipërisë për Ilir Metën, emrin e të cilit e përmendi plot 11 herë, në ato pak radhë të fjalimit të tij, në seancën e sotme plenare.

Rama u kujdes t’u japë autoritet deklaratave të lëshuara në seancën për shkarkimin e Presidentit, duke autorizuar zyrën e shtypit në kryeministri për ta shpërndarë të plotë fjalën e tij në media:

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në seancën plenare për shkarkimin e presidentit:

Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar.

Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare.

Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri.

Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht, në mënyrë të përsëritur, për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore.

Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, duke u bërë gazi i botës në sytë e miqve të saj dhe të vetë qytetarëve të saj. Prandaj ky parlament sot duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra.

Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir,  por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti.

Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti dhe fjalën për të si president kanë mbaruar.

Tani të flasë parlamenti me votë.”

Parlamenti u përfshi gjatë mesditës nga diskutimet “e zjarrta” të deputetëve të Ramës, që lexonin “çarçafë” argumentesh për shkarkimin e Presidentit, që përdoreshin dikur për dënimet për “agjitacion e propagandë”.

Kujtojmë se, seanca plenare nisi fillimisht më protestën e gazetarëve të politikës, të cilët kundërshtonin vendimin e Parlamentit për të censuruar raportimet direkte të seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare.

Protestës së gazetarëve iu bashkuan edhe disa nga drejtuesit e redaksive, të cilët u solidarizuan me kolegët  e tyre të terrenit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *