Bie Matura Shtetërore; Absurditeti i Ministrisë: Dalja e testit të gjuhë-letërsisë nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e provimit

Pas daljes së fotove në rrjetet sociale gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar provimi i gjuhë – letërsisë, ka ardhur reagimi zyrtar i ministrisë së Arsimit, e cila ka deklaruar se dalja e testit nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e provimit.

“Publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar NUK ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore. MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi” thotë MASR në reagimin zyrtar.

Kjo pjesë e reagimit është absurditeti më i madh që mund të vijë nga një institucion, i cili ende nuk di rrethanat e daljes së testit, kush e ka nxjerrë atë, nëse vërtetë testi është shitur 50 euro sikundër denoncohet, nëse prindërit u mblodhën në kafe pak minuta para provimit për ta zgjidhur, nëse nxënësit nga brenda provimit kanë arritur t’i bëjnë foto dhe e kanë dërguar me cellular për të marrë më pas përgjigjet… E sa e sa pyetje të tjera që mbeten për momentin pa përgjigje. Kështu që ministria e ka të pamundur ta përcjellë siguri tek prindërit dhe nxënësit, vetëm duke shkruar me germa kapitale “NUK” ndikon në mbarëvajtjen e procesit.

Nëse ministria e Arsimit e ka pasur të pamundur të anullojë provimin dhe pa përsërisë atë, sic ka ndodhur disa vite më parë, kur sërish ka dalë testi, të paktën të kursejë deklaratat absurde që e kthejnë në institucion qesharak.

Së dyti, deklarata se ngarkesa me nota politike që përpiqet t’u veshë personave që e kanë denoncuar daljen e tezës, e bën akoma dhe më qesharake ministrinë.

“Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore. Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit”, vijon reagimi i MASR.

MASR sqaron se do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar.

Po si do ta shmangë panikun tek prindërit ministria e Arsimit, kur së paku ka dështuar t’u sigurojë nxënësve vlerësimin në bazë merite, pas kryerjes së një testi që nga një pjesë, mund të jetë zgjidhur pa filluar provimi, ose “me ndihmën e celularit të fshehur në trup” nga brenda sallës së provimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *