Me “regji qëndrore”, reagimet e Unionit të Gazetarëve dhe ISP ndaj moslejimit të gazetarëve në aktivitetin e Kuvendit

Pak ditë para mbylljes së sesionit parlamentar të këtij viti dhe përfundimit të mandatit të tyre, deputetët e përkohshëm të Byrosë së Kuvendit; Alket Hyseni, Anastas Angjeli, Besnik Baraj, Gramoz Ruçi (i vetmi që do jetë deputet edhe në Parlamentin e ardhshëm), Myslim Murrizi, Vasilika Hysi, Vilma Bello, Alban Zeneli, Ervin Bushati  dhe Nimet Musaj kanë miratuar një rregullore të re, e cila nuk lejon mediat të ndjekin live seancat në komisionet parlamentare dhe në sallën e Kuvendit, por në një sallë të veçantë, që transmeton pamjet në kohë reale nëpërmjet kompjuterave të vendosur, por me regjinë qëndrore të Kuvendit.

Këto janë nenet, që përcaktojnë këtë mënyrë transmetimi për mediat:

  1. Mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe nënkomisioneve të Kuvendit, si rregull, bëhen të hapura. Në këto raste, Kuvendi u jep sinjalin e transmetimit medieve të akredituara, sipas përcaktimeve të bëra në Vendimin e Byrosë së Kuvendit nr. 68, datë 25.02.2021 “Protokolli i Sistemit Audio-Video”

2. Komisionet e përhershme dhe nënkomisionet, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, mund të vendosin që mbledhjet ose pjesë të tyre të bëhen të mbyllura. Kur vendoset zhvillimi i mbledhjes me dyer të mbyllura, drejtuesi i mbledhjes njofton stafin përgjegjës të Kuvendit për shkëputjen e sinjalit të transmetimit për mediet e akredituara.

Këto ndryshime nuk janë konsultuar me grupet e interesit dhe as nuk janë bërë publike paraprakisht.

Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar Unioni i Gazetarëve të Shqipērisë, i cili ankimoi  vendimin në kryesinë e Kuvendit për ndryshime në rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmediave pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Përmes  letrës drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve kërkon ndryshimin  e disa pikave të neneve të rregullores, të cilat tashmë i janë vënë si detyrë për zbatim, Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit”.

Edhe Instituti i Studimeve Politike (ISP) është shprehur me shqetësim se, vendimi i Kuvendit nuk është konsultuar me grupet e interesit.

“Kuvendi ka informuar prej kohësh idenë e një sistemi të ri informimi në institucion, por me premtimin konstant se, çdo vendimmarrje do të ishte transparente, e konsultuar me median dhe grupet e interesit dhe në  funksion të parimit të garantimit të së drejtës së informimit dhe  transparencës në raport me  publikun”, reagoi ISP.

Ndaj moslejimit të gazetarëve në sallën e Kuvendit ka reaguar pak ditë më parë edhe deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi.

“Kasetat e gatshme” janë një praktikë, që u iniciuan nga partitë politike në fushatat elektorale, të cilat dërgonin në newsroom-e, kronikat e montuara në selitë politike.

Kjo censurë e gazetarëve të politikës u shtrëngua akoma më shumë me hapjen e televizionit qeveritar ERTV.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *