BE i thotë BE-së të mbajë premtimet për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor! Flet Presidenti i PE David Sassoli
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka bërë thirrje për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se zgjerimi i BE do të ishte pozitiv për paqen dhe prosperitetin.
Çështja e përcaktimit të një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian pritet që të vendoset më 22 qershor. Deri tani Komisioni Evropian vijon që të apelojë Këshillin që ta përcaktojë sa më shpejt të jetë e mundur këtë datë. Po përsëritet shpesh kjo thirrje, aq sa po kthehet në absurditet që strukturat kryesore të BE-së i thonë njëra-tjetrës të mbajnë premtimet. Këshilli e ka rekomanduar disa herë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të mbajnë vetëm statusin e vendeve kandidatë zyrtarë. Më shumë sesa thirrje mes strukturave të BEsë, thirrja duhet të jetë direkte për vendet anëtare, në mënyrë që ato të mos pengojnë hapjen e negociatave.
Dy ditë më parë qeveria holandeze i dha ‘dritën jeshile’ negociatave të Shqipërisë me BE-në duke kërkuar sa më parë një datë për Konferencën Ndërqeveritare. Holanda prej vitesh është një prej atyre shteteve më skeptike dhe ka penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, por duket se më në fund ka vlerësuar përparimet e reformave në Shqipëri dhe se tashmë janë krijuar kushtet për hapjen e negociatave.
“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si në rajon dhe në Evropë si një e tërë, duke ndihmuar në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, me prosperitet dhe paqësor,” tha Sassoli, sipas mediave gjermane. Por sa shpejt ata mund të bashkohen varet nga përmbushja e kritereve të pranimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Reformat duhet të përfundojnë në secilin prej këtyre vendeve,”, -tha Sassoli, duke shtuar se Bashkimi Evropian gjithashtu duhet të mbajë premtimet e tij dhe të njohë përparimin e bere. BE tashmë po zhvillon bisedimet e pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidatë zyrtarë.
Bullgaria vitin e kaluar vuri veton e fillimit të negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut mbi një mosmarrëveshje të gjuhës dhe historisë. Bullgaria, e cila kërkon që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj janë bullgare, muajin e kaluar tha se nuk kishte në plan të heqë veton në bisedimet e pranimit.
Shkupi këmbëngul se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore që formon pjesë të kulturës dhe identitetit kombëtar të vendit, ndërsa Sofja thotë se maqedonishtja është një dialekt rajonal i bullgarishtes.
Mbajtja e premtimeve nga ana e Bashkimit Evropian ishte një mesazh i dhënë në Tiranë edhe nga ministri për Evropën i vendit më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, Michael Roth. Për Gjermaninë përcaktimi i datës së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat të BE-së me Shqipërisë duhet të merret sa më shpejt pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet.