Pas shpalljes “non grata” të Berishës, Agron Shehaj takon ambasadoren amerikane; kreditet e takimit…
Agron Shehaj, kandidati në garën për kreun e Partisë Demokratike ka takuar sot në mëngjes ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ka publikuar sonte në mbrëmje në facebook një postim për këtë takim, por pa e shoqëruar me një foto. “Sot paradite, me ftesë të saj, bisedova me Ambasadoren Amerikane Yuri Kim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në krah të PD-së që në ditët e para të lindjes së saj dhe mbështetën fuqimisht ardhjen e saj në pushtet në vitin 1992. Që atëherë, në çdo arritje të PD-së në politikë dhe qeverisje, ka qenë edhe ndihma e SHBA-ve. Kjo lidhje, mbështetur në vlerat e lirisë dhe demokracisë, do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”, shkruan Shehaj. Pas shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit të liderit historik të PD-së Sali Berisha, ky është takimi i parë që një përfaqësues i PD-së zhvillon me ambasadoren amerikane. Kryetari në detyrë Lulzim Basha nuk mori pjesë në takimin e stërvitjes ushtarake “Defender – 21”, ku ishte ftuar nga ambasadorja amerikane, veprim që u lexua si shenjë solidariteti me Berishën.
Shehaj, nëpërmjet postimit të tij, përpiqet të tregojë se merr përsipër të thyejë akullin dhe të rivendosë linjën e marrëdhënieve normale mes PD –së dhe ShBA. Ky është krediti i vetëm i këtij takimi, mbi të cilin Shehaj nuk ka dhënë asnjë detaj mbi tematikën e diskutimeve, as mbi elementët e mjaftueshëm që mund ta bënin, së paku, takim kortezie: publikimin e nje fotoje.