“Gjithë të zezat” për Presidentin, Komisioni Hetimor i dërgon Kuvendit raportin për shkarkimin e tij
Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është mbledhur ditën e sotme dhe i ka propozuar Kuvendit të miratojë raportin përfundimtar ku janë raportuar gjetjet e shkeljeve të Presidentit dhe të shkarkojë Ilir Metën.
Kryetari i Komisionit Alket Hyseni, që nuk është më deputet i zgjedhur në Parlamentin e ardhshëm, ndërsa lexoi raportin përfundimtar tha se sjellja e presidenti duhet të jetë në unitet dhe ekuilbrues në jetën politikë të vendit dhe kjo jo vetëm në respektimin e Kushtetutës por dhe të perceptohet nga populli si i tillë. Hyseni tha se Presidenti bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje me tonet e tij konfrontuese edhe të nxehta.
“Presidenti ka intimiduar votuesit duke thënë se ai vetë do i presë dorën, thirrje luftarake, vetëgjyqësie janë mesazhe të qarta drejt popullit. Kjo nxitje dhune detyroi ambasadoren e SHBA të bëjë thirrje që Presidenti Meta të ndaloje këtë fushatë. Në vend të ishte neutral, tregoi qartë anësi ndaj opozitës. Presidenti mori përsipër të japë leksione demokracie, që nuk gjendjen askund.” tha ndër të tjera Hyseni duke iu referuar raportit, që do t’i dërgohet Kuvendit për votim brenda 7 ditëve.
Ka qenë këshilltari për mediat i Presidencës Tedi Blushi që ka reaguar kundër kësaj ndërmarrjeje:
“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruhet në reagimin e Presidencës.