Negociatat e anëtarësimit, 5 prioritetet, 12 rekomandimet, 12 kushte… e kështu me radhë

Bashkimi Evropian duhet të hapë negociatat e anëtarësimit në qershor me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke bindur shtetet skeptike dhe Bullgarinë vecanërisht, që të mos vendosë veton për të penguar Maqedoninë e Veriut. Vendet nuk mund të ndahen nga njëri – tjetri, jo thjesht për shkak të reformave të ndërmarra dhe kushteve që kanë përmbushur tashmë, por edhe për të mos krijuar imazhin e mbetjes pas të Maqedonisë së Veriut, aq më tepër që shumica e vendeve anëtare mendojnë se është përpara Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit. Jo vetëm kaq: Strukturat e BE-së kanë kaluar në përsëritje sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë: plot 3 herë, gjatë paraqitjes së Paketës së Zgjerimit, Komisioni Evropian i ka propozuar ose rekomanduar Këshillit hapjen e negociatave dhe ky i fundit i ka njohur propozimet 2 here. Më 25 mars 2020 Këshilli i Cështjeve të Përgjithshme të BE vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë, por ky hap ende nuk është ndërmarrë. Ndaj në qershor duhet të celen negociatat, sepse edhe proceduralisht nuk ka si të justifikohet shtyrja. Kushtet dhe rekomandimet e vazhdueshme rrezikojnë t’i humbin vlerën që i ka mbetur këtij procesi.

 

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit në qershor të vitit 2006 në Luksemburg, Shqipëria aplikoi 2 herë për të marrë statusin e vendit kandidat, të cilin e mori në 27 qershor 2014, të shoqëruar me ato që u quajtën 5 prioritetet kyce të caktuara nga Këshilli: reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore: të cilat Shqipëria duhej t’i përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit. Që nga ajo kohë, Komisioni Evropian ka vijuar me “shtjellimin” e ketyre kushteve: nga 5 prioritetet, u kalua tek 12 rekomandimet për përmbushjen e 5 prioriteteve, tek 15 kushtet dhe më pas tek 12 kushtet që do shoqërojnë Shqipërinë edhe në periudhën pas hapjes së negociatave.

Nuk mund të vazhdohet të përcaktohen kushte të reja apo të ndryshohet emri i të vjetrave në varësi të zhvillimeve politike, sociale, ekonomike të një vendi apo ndryshimit të rrethanave të momentit në ecurinë e procesit të integrimit.

Prej shumë vitesh, Komisioni Evropian dërgon në tetor atë që quhej Raporti i Progresit dhe që vitet e fundit i është ndryshuar emri në Raporti për Shqipërinë, që mat ecurinë në kompleksitet përgjatë një viti dhe bazohet në raportimet që bëjnë institucionet shqiptare mbi zhvillimet respektive. Edhe këto raporte po përsëritin me të njëjtën këmbëngulje të vitit paraardhës shumicën e gjetjeve që përmbajnë.

Në qershor duhet të hapen negociatat, sepse ajo që u përcaktua si “entlargement fatigue” e Evropës, pra lodhja nga zgjerimi, po kthehet në “lodhje të Ballkanit Perëndimor” për t’u anëtarësuar në Evropë. Sic tha sot ministri gjerman për Evropën Michael Roth: “është koha që të veprojmë tani, është koha të mbajmë premtimet tona.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *