Do të ketë garë për zgjedhjen e Kryetarit të PD-së

Sot në orën 12:00 të natës përfundon afati për paraqitjen zyrtarisht të kandidaturave për zgjedhjet e 13 qershorit për Kryetar të Partisë Demokratike. Edhe sikur të mos regjistrohen kandidatë të tjerë, 4 emra përballë Bashës, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, Ibsen Elezi, dhe së fundi Agron Shehaj, janë të mjaftueshëm për t’i dhënë kuptim të plotë fjalës ‘garë’ brenda PD-së. Numerikisht është dicka për t’u shënuar, pasi asnjëherë më parë në një garë për kryetar të partive të mëdha nuk ka pasur kaq shumë sfidues. Nga ana tjetër, dhe më e rëndësishmja, në Partinë Demokratike do të prodhohet debat publik. Pavarësisht cilësisë dhe vërtetësisë që do të ketë ky debat publik, së paku do të do të reduktojë supermacinë e kryetarit në detyrë Lulzim Basha.

Edhe pse ka pak kohë në dispozicion dhe dyshime për ndikim të Bashës në listat e anëtarësisë, secili prej sfiduesve, ende pa filluar fushata, ka përcaktuar një pikë rreth së cilës do të kërkojë votën dhe besimin e demokratëve, si dhe metodologjinë nëpërmjet së cilës do të garojë.

Edith Harxhi dhe Ibsen Elezi kanë kërkuar listat e anëtarësisë dhe përfshirjen e një përfaqësuesi të tyre në Komisionin Zgjedhor dhe kanë bërë thirrje për debat publik dhe prezantimin e platformave të tyre. Harxhi thotë se ka marrë mijëra mesazhe nga demokratët që i kanë ofruar mbështetje për tezën e saj “rikthim në idealet e ’90-ës”.

Agron Shehaj që duket se është shumë i pëlqyer nga demokratët – gjë që e tregoi edhe rezultati i votave që mori në zgjedhjet e 25 prillit – ofron energji të reja, vizion dhe drejtim të ri, një parti të vërtetë demokratike, moderne dhe të hapur. Shehaj shikon si pikë të fortë të tij dhe natyrisht nuk e lë pa reklamuar, faktin që është një biznesmen i suksesshëm që nuk ka nevojë të përdorë partinë për t’u pasuruar. Ai premton se nuk do të zhgënjejë.

Nga ana tjetër, Fatbardh Kadilli, thotë se ka superioritet përballë Lulzim Bashës. Sipas tij, edhe pse ky i fundit ka në dispozicion të gjitha mjetet e fushatës elektorale që kishte përballë Ramës, është më i dobët moralisht.

Deri tani të gjithë kandidatët, edhe pse nuk janë distancuar haptazi nga Sali Berisha, janë kujdesur të tregojnë se nuk kanë ndonjë lidhje me të, madje, disa prej tyre e kanë të thjeshtë, se nuk e njohin fare drejtëpërdrejtë liderin historik të demokratëve. Kjo mund të jetë një plus për ta, nëse brenda anëtarësisë së PD, një pjesë, e shikon të ardhmen e PD-së të shkëputur nga Berisha.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha jo vetëm është parë si i ndikuar nga Berisha, por vjen edhe pas 3 humbjesh rresht përballë Edi Ramës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *