Italia fiton Eurovizionin, votat e publikut i “rrëmbejnë” fitoren shqiptarit nga Zvicra
Ka qenë surprizuese fitorja e Italisë me këngën “Zitti e buoni” në Eurovizion, pasi ka arritur të shpallet fituese me votat e publikut, dhe jo ato te jurive profesionale.
Shqiptari Gjon Muharremaj (Gjon’s Tears) që përfaqësonte Zvicrën ishte i renditur i pari me votat e jurive profesionale me 267 pikë, duke u ndjekur nga Franca me 248 pikë dhe Malta 208 pikë. Por kjo renditje u përmbys nga votat e publikut, të cilat bënë që Italia të renditet e para dhe të shpallet fituese e festivalit, me 534 pikë në total, e ndjekur nga Franca, e dyta, me 499 pikë dhe Zvicra e treta me 432 pikë. Megjithatë, Muharremaj konsiderohet një sukses i padiskutueshëm në këtë festival. Gjon Muharremaj është 22 vjeçar, është me prejardhje shqiptare, me prindër nga Kosova dhe Shqipëria, por që është rritur në Zvicër.
Për herë të parë në njëmbëdhjetë vjet, Zvicra u paraqit përsëri me një titull francez. “Tout l’univers” do të thotë “I gjithë universi”. Bëhet fjalë për mbajtjen e shpresës së dashurisë pavarësisht kaosit në botë.
Shqipëria me këngën “Karma” të Anxhela Peristeri ka arritur të grumbullojë gjithsej 57 pikë, nga të cilat 22 nga juritë profesionale dhe 35 pikë nga votat e publikut. Malta, ishte vendi i vetëm që votoi Shqipërinë me 12 pikë.
Ishin juritë e 39 shteteve evropiane që votuan në Eurovizion.