Grupimi “Për PD”, asnjë fjalë për Berishën, rikërkohet shtyrja e zgjedhjeve për Kryetar
Grupi “Për PD” i ka kërkuar sërish sot Kryetarit të PD-së Lulzim Basha shtyrjen e datës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, caktuar për në datën 13 qershor 2021. Edhe pse ky grupim ka brenda tij ish – bashkëpunëtorë të ngushtë të Sali Berishës si Bujar Nishani, Arben Imami apo Edith Harxhi, ka evituar të mbajë qëndrim për shpalljen “non grata” të tij, por është fokusuar te kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve.
“Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eleminimin e debatit në radhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar, ndaj, kërkojmë shtyrjen e datës së zgjedhjeve”, deklaron grupi “Për PD”, duke kërkuar trajtimin me përgjegjësinë e duhur politike dhe institucionale të kësaj kërkese.
“Mbetemi të bindur dhe gjykojmë me përgjegjësi se caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike. Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj”, thuhet në deklaratën e grupimit “Për PD” që përbëhet nga Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha. Nuk dihet nëse dikush prej anëtarëve të grupit ka ndërmend të shpallë zyrtarisht kandidaturën për kryetar të PD-së, brenda afateve të bëra publike, ndërkohë që potenca dhe ndikimi i Berishës brenda Partisë Demokratike pritet të ndryshojë pas shpalljes “non grata” nga ShBA-të.