Qepjuni këmba-këmbës atyre që nuk ndëshkojnë përdhunuesit e fëmijëve…

Historia tronditëse në Mirditë, ku 5 qënie shtazore, jo njerzore abuzuan me një të mitur, duhet të ndërgjegjësojë ligjvënësit për të ashpërsuar dënimet për dhunuesit e fëmijëve, por dhe për transmetimet etike në media.

Për 72 orë me radhë kolegët tanë, që fatkeqësisht nuk njohin legjislacionin në mbrojtje të fëmijëve dhe viktimave të dhunës, po abuzojnë çmendurisht me këtë histori.

Ekskluzivet me familjarë e të afërm të fëmijës së keqtrajtuar nuk janë ndërgjegjësuese, përkundrazi rrezikojnë të nxisin konflikte të pashmangshme në ato komunitete, ku familjet i ndan një gardh thuprash nga njëra-tjetra.

Ndihma e kolegëve duhet të jetë diku tjetër.

Ata i kanë statistikat e rasteve të ngjashme dhe të mbërthejnë me pyetje dhe kërkesa çdo ditë; ligjvënës, zyrtarë, prokurorë, gjykatës e aktivistë të të drejtave të fëmijëve, që nuk bëjnë detyrën.

Pyetjet e tyre do të zbulojnë se, asnjë rast abuzimi me fëmijën nuk ka marrë dënimin, që meriton dhe nëse ata nuk janë dënuar do të thotë se dikush i ka ndihmuar.

Ja ku ju doli edhe një histori për ta ndjekur dhe për ta transmetuar.

Më shumë pëlqime do të merrni nëse, shkoni drejt zbardhjes së vërtetës duke kërkuar përgjegjësinë e mosndëshkimit të rasteve të pedofilisë dhe abuzimit seksual me të mitur, jo duke intervistuar familjarët, komshinjtë e kryepleqtë.

Shkoni dhe i intervistoni ata, që e kanë bërë Kodin Penal si “bukë me djathë”, duke e ndryshuar sa herë ju telefonon ndonjë i fortë nga qeveria, apo nga rruga.

Pyesni ata dhe shkundini organizatat vendase dhe të huaja, që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, të cilat presin sa të thahet boja e posterit për të protestuar.

Qepjuni këmba- këmbës atyre, që në detyrat funksionale kanë mbrojtjen e fëmijës dhe detyrojini që t’i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë të propozojë për miratim, nenin me këtë tekst: “Dënohet me burgim të përjetshëm përdhunimi i fëmijëve.

Nga: Rojtar.com

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *