Dënohet me 2 vite burg ish-kryeprokurori Adriatik Llalla

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli sot vendimin për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke e dënuar atë me 2 vite burg dhe me 5 vite të heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Gjithashtu, do të sekuestrohet pasuria e tij, duke i kaluar në favor. Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Ky ishte vendimi i shkallës së parë dhe ishte vendimi i parë që GJKKO jep ndaj një gjyqtari të lartë. Ish-kryeprokurori, i shoqëruar nga avokati i tij Sokol Hazizaj nuk ka bërë komente për mediat lidhur me vendimin. Do të duhet të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit për të parë nëse Llalla do të vuajë dënimin duke kryer burgun apo ky dënim do t’i konvertohet në shërbim prove.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të ‘mosdeklarimit të shumave monetare në kufi’.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *