Protesta në mbështetje të Palestinës, dhjetëra të ndaluar nga policia në sheshin “Skënderbej”

Disa qindra qytetarë, mes të cilëve shumë gra dhe fëmijë të vegjël, kanë protestuar sot për të dytën ditë radhas, në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të popullit të Palestinës, pas ditës së 7-të sulmit që Izraeli ka ndërmarrë në Gaza, më i rëndi që prej vitit 2004. Në protestën që nisi paqësore ka pasur tensione mes qytetarëve dhe forcave të policisë, të cilët kanë pretenduar se protesta ka qenë e paligjshme dhe në të, nuk janë respektuar masat anti-COVID -19.  Thirrjet “Free Palestine”, janë zëvendësuar nga thirrjet “policia e trupit”. Ka pasur dhjetëra të shoqëruar në komisariat, ndërkohë që protestuesit janë zhvendosur nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të hyrjes së Rrugës së Kavajës.

Pak para zhvillimit të kësaj proteste, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka falenderuar zyrtarisht Shqipërinë dhe 25 shtete të tjera për përkrahjen e treguar ndaj tyre, në konfliktin me Palestinën. “Faleminderit që qëndruat me vendosmëri me Izraelin dhe përkrahni të drejtën tonë për vetëmbrojtje ndaj sulmeve terroriste”, shkruan Netanyahu.

Ka qenë ky falënderim i publikuar në media që ka nxitur zemërimin e protestuesve, të cilët thanë se populli shqiptar, nuk mbështet kurrësesi Izraelin, por Palestinën.

Nga ky raund luftimesh në Gaza ka një bilanc tragjik: janë vrarë të paktën 145 palestinezë në Gaza, përfshirë 41 fëmijë dhe 23 gra. Tetë izraelitë janë vrarë, duke përfshirë një djalë 5-vjeçar dhe një ushtar. Në disa shtete të botës ka pasur gjatë dy ditëve të fundit, protesta të shumta në mbështetje të Palestinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *