PD-ja ka vend për të gjithë, por për një kryetar

Lulzim Basha vendos të përshpejtojë zgjedhjen e kryetarit të ri të ri të partisë Demokratike. Zgjedhjet zhvillohen më 13 qershor.

Nga debatet e zbardhura nga mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, nuk rezulton të ketë pasur ndonjë surprizë, por vetëm ato që priteshin. Basha ka vazhduar me fjalimet e tij idilike në mbrojtje dhe Fatbardh Kadilli ka zyrtarizuar kërkesën e tij të dorëheqjes drejtuar kryetarit, në sulm.

”Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd. Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën. Kemi ekipin më të mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer”, ka thënë në mbledhje kandidati i vetëm që ka zyrtarizuar ambicien për drejtimin e PD-së, Fatbardh Kadilli që i ka kërkuar Bashës të mbajë përgjegjësinë për humbjen, si ndërtues i kauzave rastësore dhe korruptues i besimit dhe mbështetjes, si dhe ndërtues i raporteve të paqarta me aleatët.

Basha, në mbrojtje, tha se nëse është e qartë se zgjedhjet e 25 prillit ishin masakra më e madhe zgjedhore, atëhere gishti s’duhet drejtuar në këtë sallë, por tek kundërshtari përballë. Pjesën më të madhe të mbrojtjes së tij, Basha e ka mbështetur tek krimi dhe vjedhja e zgjedhjeve dhe nuk ka bërë asnjë analizë të gabimeve të tij dhe gabimeve të PD-së që cuan në humbje. Nuk kuptohet nëse fjalimi i tij ishte nje debat televiziv Basha – Rama, fjalim në mbledhjen e kryesisë së PD-së, fjalim në ditët para fushatës elektorale, në ditët post- fushatë, apo në takimet e fushatës së re elektorale të zgjedhjeve lokale. Tashmë, fjalimi i tij është njësuar dhe ka domosdoshmërisht fjalët kyce: të bashkuar, zemër, shpresë, fitore, ndryshim. Ky leksik nuk mund të jetë i përshtatshëm për mbledhjen e kryesisë. Aty Basha duhet të rendisë të gjitha arsyet e humbjes, qoftë edhe përgjegjësinë që zgjedhjet u vodhën në zona të caktuara, kryesisht Elbasanin që Basha tha se nuk quhet më qyteti i Normales, por i krimit.

Basha tha se PD ka vend për të gjithë, por s’mund të ketë vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve. Kjo e bën jo të sinqertë ftesën e tij për idetë e të gjithëve dhe formal, fjalimin. Pra, me këtë fjali nënkupton që vizioni i të gjithëve, do të jetë si i kryetarit, i cili është një dhe i vetëm.

Megjithatë, Basha, duke qenë se nuk ka dhënë sinjal për dorëheqje, ka bërë një hap dinjitoz që ngjan me dorëheqjen: ka përafruar datën e zgjedhjeve për kryetarin e ri të PD-së që sipas statusit, do të zgjidhej në korrik. Në 16 maj do të nisë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve dhe më 13 qershor do të zgjidhet kryetari i ri i PD-së. Ky është një lajm pozitiv që do të rriste besimin e votuesve të PD-së, nëse Lulzim Basha do të arrinte të realizonte zgjedhje të lira për kreun e PD-së. Për këtë do të luante rol edhe shtimi i kandidaturave për kryetar, pasi kandidatura e vetme, Fatbardh Kadilli duket si një kandidaturë që ngjan me Genc Pollon, kur konkurronte zyrtarisht Sali Berishën për kryetar të PD-së, vite më parë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *