Pse njerëzit po heqin dorë nga doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19?
Deri më 5 maj, 249 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19, u administruan në Shtetet e Bashkuara.
Sipas të dhënave zyrtare, 107 milionë persona janë vaksinuar plotësisht (me dy doza të vaksinave të Pfizerit dhe Modernas ose me një dozë të vaksinës së kompanisë Johnson & Johnson), që përbën 32.3 për qind të popullsisë së përgjithshme të SHBA-ve.
Megjithatë, Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC), kohët e fundit ka raportuar se afërsisht 8 për qind e personave që marrin dozën e parë të vaksinës në SHBA, nuk e marrin dozën e dytë . Kjo ka ngritur shqetësimin se, shmangia e dozës së dytë do të pamundësojë që SHBA-ja të arrijë imunitetin e tufës. Përse?
Për të dy vaksinat, që përdoren në SHBA; Pfizer/BioNTech dhe Moderna, është e nevojshme që të merren dy doza me qëllim, që të arrihet imunizimi dhe mbrojtja maksimale kundër koronavirusit.
Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar në SHBA për Alergjinë dhe Sëmundjet Infektive, kohëve të fundit ka lënë të kuptohet se një dozë e vetme e vaksinës mund të mos sigurojë imunitetin e kërkuar për mbrojtje nga COVID-19, në krahasim me vaksinimin e plotë, përmes dy dozave.
“Kur merrni vetëm një dozë, ngrihet pyetja se sa do të zgjasë imuniteti?”,-deklaroi Fauci, gjatë një prononcimi, muajin e kaluar
Për shkak se variantet e reja të koronavirusit po dalin të jenë më problematikë edhe për personat që janë vaksinuar plotësisht, Fauci shtoi se një dozë e vetme e vaksinës, mund të ofrojë më pak mbrojtje ndaj varianteve të reja të sëmundjes COVID-19.
Pse po shmanget doza e dytë?
Nuk është e pazakontë, që njerëzit të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, thonë ekspertët shëndetësorë.
Ata kanë dhënë disa shembuj nga vaksinimet në të kaluarën.
CNN shkruan se në një analizë të kryer nga Fondacioni Kaiser Family, shkalla e shmangies së dozës së dytë për infeksionin herpes zoster, ishte rreth 26 për qind në mesin e përdoruesve të Medicare (sigurimi shëndetësor në SHBA).
“Unë shqetësohem për çdo person, që nuk vjen ta marrë dozën e dytë dhe realisht unë kam menduar se do të ketë më shumë njerëz që do ta shmangnin marrjen e dozës së dytë”, tha për CNN, doktoresha Leana Wen.
Një nga arsyet, që mund të çojë që një numër relativisht i madh i njerëzve në SHBA të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, mund të jetë e natyrës administrative, pasi autoritetet ende nuk i kanë përpunuar të dhënat për vaksinimet dhe nuk kanë krijuar një sistem të unifikuar për këtë çështje.
CDC-ja shprehet se numri i njerëzve që nuk e morën dozën e dytë është rreth pesë milionë (nga 249 milionë doza të përdorura deri më 5 maj 2021).
Sidoqoftë, tani për tani, shifra e saktë e kësaj nuk mund të dihet sepse mund të ndodhë që një person të marrë dy dozat e vaksinës në vende të ndryshme si psh: Dozën e parë ta marrë në një klinikë shtetërore e dozën e dytë në një klinikë lokale dhe të dhënat për marrjen e të dy dozave mund të mos regjistrohen në një bazë të të dhënave, -tha një zëdhënëse e CDC-së.
Ka arsye të ndryshme se pse njerëzit anashkalojnë marrjen e dozës së dytë të vaksinës.
Në një sondazh të gazetës “New York Time”, disa thanë se kanë frikë nga efektet anësore të vaksinës, ku mund të shkaktohen simptoma të ngjashme me gripin. Të tjerët thanë se pas marrjes së dozës së parë, ndjehen mjaftueshëm të mbrojtur kundër koronavirusit.
Po ashtu është shfaqur një pengesë, e cila nuk varet direkt nga njerëzit, të cilët duhet të vaksinohen, thotë “New York Times”.
Një numër i qendrave të vaksinimit kanë anuluar takimin e dytë të vaksinimit, për shkak të mungesës së vaksinave. Për këtë arsye, disa njerëz thjesht kanë hequr dorë nga vaksinimi.
Rezultatet e një studimi të pavarur, që u botua në “New England Journal of Medicine”, tregojnë se shumica e njerëzve që nuk e marrin dozën e dytë të vaksinës, mund të jenë keqinformuar për efektivitetin e vaksinimit të plotë.
Më pak se gjysma e të anketuarve nga studiuesit e Universitetit Cornell dhe Fakultetit të Mjekësisë së Harvardit, thanë se ata besonin se vaksinat me dy doza sigurojnë mbrojtje kundër koronavirusit dy javë pas marrjes së dozës së parë, pavarësisht se në udhëzimet e CDC-së thuhet se vaksinat kanë përfitim të menjëhershëm.
Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit masiv, ekspertët e shëndetit publik në SHBA, por edhe në gjithë botën, kanë ngritur shqetësimin se, do të jetë e vështirë që njerëzit të kthehen në qendra të vaksinimit për të marrë dozën e dytë, tre ose katër javë pas marrjes së dozës së parë.
Gjithashtu, nuk është për t’u habitur që derisa vaksinimi kundër koronavirusit po rritet gjithnjë e më tepër, po ashtu numri i atyre që po e shmangin dozën e dytë është duke u rritur.
Pse duhen dy doza?
Ka një numër arsyesh pse doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19 është e rëndësishme.
Ekzistojnë dy arsye kryesore: E para, është e rëndësishme që të mbroni veten nga infektimi me virus, por gjithashtu është e rëndësishme që të parandaloni përhapjen e virusit.
Studimet e kryera gjatë provave klinike për secilën vaksinë, që administrohet përmes dy dozave, kanë treguar se pas një periudhe kohore, imuniteti ndaj COVID-19 pas marrjes së dozës së parë zbut kurbën e infeksionit, por doza e dytë ndihmon, që mbrojtja nga COVID-19 të jetë në një nivel të lartë.
Edhe nëse një person, për arsye të ndryshme, nuk merr në kohë dozën e dytë, është e rëndësishme që ta merr atë.
“Antitrupat mund të rriten me dhjetë herë, pas dozës së dytë”, -shpjegon Nicholas Kman, nga Universiteti i Ohajos.
Sipas studimeve të CDC-së, të dhënat tregojnë se efektiviteti i një doze të vetme të vaksinës së kompanisë “Pfizer” është 60 deri në 70 për qind, thuhet në një publikim të Cleavland Clinic.
Një studim i ri i CDC-së tha se, marrja e një doze të vaksinës “Pfizer” ofron 80 për qind efikasitet, por nëse merren të dy dozat e vaksinës, atëherë efikasiteti arrin deri në 90 për qind.
Kompania Pfizer ka konfirmuar se, vaksina ofron 91 për qind efikasitet pas marrjes së dy dozave dhe ofron nivel të lartë të parandalimit të simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19.
Shifrat flasin vet, mbrojtja më e madhe ndaj COVID-19 krijohet pas marrjes së dy dozave të vaksinës.