Qeveria shtrëngon “rrypin” për të dypunësuarit pa i pyetur
“Rojtar.com” bisedoi me disa individë, të cilët shprehin shqetësim për këtë masë të qeverisë, që i takson dy herë, duke iu marrë padrejtësisht afro 1.5 milionë të vjetra në vit pse ata zgjedhin të bëjnë dy punë.
Një pjesë e tyre i thanë “Rojtar.com”, se punojnë në dy punë për të përballuar shpenzimet e familjes, anëtarët e tjerë të së cilës janë pa punë.
“Unë jam tatuar një herë për pagat, që kam marrë në institucionin shtetëror dhe në shoqërinë private, ku jam angazhuar në punën e dytë. Pse duhet të paguaj sërish taksë mbi pagën, ndërkohë që kjo taksë shumëfishohet pasi llogaritet njëherësh për dy pagat. Unë punoj për të mbijetuar dhe INSTAT, që nuk llogarit prej vitesh nivelin e jetesës në Shqipëri, duhet t’ia thotë Kryeministrit sesa janë kostot e jetesës në Tiranë, ku një apartament shitet 200 mijë euro. Shtëpi as nuk e mendoj se mund të blej ndonjëherë, por të paktën të nxjerr shpenzimet e qirasë mujore, ushqimeve, veshmbathjes, pagesat ujë-drita si dhe të sigurojë të ardhurat për mirërritjen e fëmijës ”.
Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, personat e dypunësuar duhet të tatohen edhe për pagën minimale.
Një i dypunësuar që merr 30 mijë lekë në secilën prej dy punëve që bën, me vendim qeverie tani duhet të paguajë tatim 13 %, për dy pagat bashkë.
Ndërkohë, të dypunësuarit që kalojnë të ardhurat mbi 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj duhet të paguajnë 23 % të të ardhurave vjetore.
Vendimi i qeverisë, i plotësuar me akte nënligjore, sanksionon me gjobë 50 mijë lekë, individët që nuk paguajnë tatimin për dy pagat deri në 30 qershor 2021, afati i ri i vendosur nga qeveria këto ditë, pasi tatimet raportuan se deri më 30 prill nuk u mblodhën taksat e pagave për këto kategori.
Qeveria mund të jetë e interesuar të raportojë statistikat se, shqiptarët kanë të ardhura mbi 2 milionë në vit, për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e varfërisë.
Por nga ana tjetër nuk kuptohet heshtja e organizatave që duhet të mbrojnë të drejtat ekonomike të shqiptarëve.
Heshtje për varfërinë e skajshme, ku është zhytur popullësia e mbetur në periferitë e Veriut dhe të Jugut të vendit, por pse Shoqëria civile hesht edhe në Tiranë për ata, që po rropaten për të mbijetuar para zyrave të tyre, që njësoj e kanë një projekt…, për nxjerrjen e familjes nga varfëria.