BE pret opozitën në Kuvend për çeljen e negociatave
Brukseli do të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë pas konstituimit të Parlamentit të ri.
Deklarata e nënkuptuar u bë në Rinas, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të Komisionerit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Kryeminstrit Edi Rama, kur u pyet lidhur me deklaratat e opozitës për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve:
“Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, unë e kam ndjekur nga afër gjithçka që po ndodh dhe çfarë ka thënë OSBE/ODIHR. Kështu që mendoj, që pas një fushate zgjedhore mjaft të zjarrtë dhe debate të zjarrta, gjëja që na nevojitet tani janë rezultate të qarta përfundimtare dhe më është thënë që ka filluar procesi, pra periudha e apelimit, kështu që ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë, qoftë edhe blerjen e mundshme të votave që të ndiqet nga të gjitha autoritetet gjyqësore, por pas këtij procesi do të na duhen rezultate përfundimtare. Pra, pas rezultateve përfundimtare do të na duhet që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna e vet shumë shpejt për reformat e BE. Pa një parlament të plotë, nuk është e mundur që të ecet përpara në rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Europian, dhe ka ende shumë punë për të bërë. Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj të dytë, kjo është edhe më shumë e vërtetë në rast se do të ishte një marrëveshje për mbajtjen e një konference të parë ndërqeveritare në Shqipëri, në qershor. Në rast se do të ndodhë kjo gjë puna jo, vetëm do të duhet të vazhdojë, por do të duhet të përshpejtohet dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Kuvendi i ri i Shqipërisë.”
Zyrtari i lartë i BE-së hodhi poshtë edhe pretendimet për kufijtë në Ballkan, në dokumentin “non paper”, që rrodhi qëllimisht në media me autorësinë e një zyrtari të lartë slloven.
Komisioneri Varhelyi tha se, BE nuk është aspak e shqetësuar për këtë dokument, pasi sipas tij ripërcaktimi i kufjve në Ballkanin Perendimor dihej se çfarë mund të shkaktonte. Këtij komentiu iu bashkua edhe Kryeministri Rama, duke i cilësuar sajesa dokumente të tilla dhe duke bërë thirrje për europianizim dhe jo riballkanizim të shoqërive në rajon.

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, gjatë qëndrimit në aeroportin e Rinasit, u takua edhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, biseda e të cilëve u përqëndrua te zgjedhjet.
Referuar njoftimit të zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, Basha ka njohur Komisionerin Varhelyi me manipulimet që sipas tij u bënë në zgjedhjet e 25 prillit. Kryetari i opozitës ka deklaruar se, PD dhe aleatët kanë bërë 180 denoncime në SPAK për çështje që lidhen me tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve përmes korrupsionit dhe përdorimit të fondeve publike si dhe riaktivizimit në fushatë të personave me rekorde penale.
Pasi dorëzoi një pjesë të vaksinave “Pfizer”, të siguruara nga BE për Shqipërinë dhe vendet ballkanike, Komisioneri europian vazhdoi fluturimin për në Prishtinë për të shoqëruar personalisht dozat e vaksinave që përfiton Kosova.