Basha u jep zemër mbështetësve të PD-së: Koalicioni i djathtë do të fitojë, nuk janë numëruar bastionet tona
Në një dalje të pak minutave më parë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje numëruesve të PD-së të qëndrojnë korrekt në zbatim të detyrës së tyre deri në numërimin e votës së fundit, pasi rezultati do të ndryshojë në favor të PD-së, sapo të hapen kutitë që i përkasin zonave bastion të PD-së.
“Siç e dimë të gjithë qendrat e para që numërohen janë qendrat që favorizojnë partinë në pushtet dhe ndaj, janë hapur të parat. Por edhe këtu, PS nuk ka marrë numrin e votave që ka pritur. Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS dhe me një rritje të votave për PD dhe koalicionin për ndryshim. Në njësinë 10, PD ka rritje prej 30%, po ashtu në zonën e Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, PS është ndëshkuar nga qytetet bastion të saj. Tani do vijë dhe radha e kutive të tjera që janë në zonat ku PD ka fituar historikisht”, tha Basha.