Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve: Fituesi del pas 48 orësh, numërimi nis rreth orës 23:00

Në mbyllje të orarit zyrtar të procesit të votimit, në një deklaratë për mediat, kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, deklaroi se rezultati zyrtar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të dalë pas 48 orësh, ndërkohë që u bëri thirrje drejtuesve të partive politike që të ruajnë qetësinë, gjatë numërimit të votave. Edhe pse Celibashi nuk ka dhënë sot një orar të saktë të nisjes së procesit të numërimit, në daljet e tij të mëparshme publike, kreu i KQZ-së ka thënë se ky process mund të nisë rreth orës 23:00. Deri në këtë orë do të kryhet procesi i administrimit  të kutive.

“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, tha Celibashi në daljen e tij publike. Ai u bëri thirrje partive politike që të përcjellin me qetësi situatën në vijim pasi është shumë e rëndësishme për sigurinë e procesit. Ai tha se deklaratat para përfundimit të numërimit nuk i shërbejnë këtij procesi.

“Thirrje partive që procesin në vijim ta përcjellin me qetësi askush nuk e  di se kush i ka fituar zgjedhjet duhet të presim të numërohen votat, çdo deklarim i bërë para përfundimit të numërimit të votave nuk i shërben sigurisë në këtë proces. Gjithë lidershipi të ketë ndërgjegjen për qetësi, për të krijuar kushtet e punës së qetë për numëruesit. KQZ ka marrë masat që procesi të përfundojë brenda 48 orëve për partitë dhe pastaj të vijojmë për kandidatët. Gjithë procesi i nxjerrjes së rezultatit do të jetë i vëzhguar dhe monitoruara nga KQZ e një sërë vëzhguesish edhe ndërkombëtarë”.

Celibashi theksoi se në disa qendra votimi ka radhë dhe procesi po kryhet siç e kërkon kodi zgjedhor. Ai tha se procesi u zhvillua normalisht me përjashtim të disa incidenteve të vogla.

“Votimi është mbyllur, përjashto raste në të cilat ka radhë votues dhe sipas kodit zgjedhor do të duhet të merren emrat dhe dokumentet e atyre që janë në radhë. Është herët për një konkluzion por nga informacionet ky proces u karakterizua nga qetësia, siguria dhe integriteti i tij si proces. Në përgjithësi ishte një proces votimi në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Ka qenë një tension i madh në KQZ në lidhje me ecurinë e procesit të identifikimit elektronik se ishte një proces i vështirë nga shumë pikëpamje dhe u realizua në kohë të shkurtër”.

Sipas kreut të KQZ, nëmë pak se 200 qendra votimi në të cilat nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik për shkak të pamundësisë së operatorëve për ta përdorur pajisjen dhe në disa raste mosparaqitjes së tyre.

“Janë më pak se 200 qendra votimi në të cilat nuk është përdorur pajisja e identifikimit elektronik, në 86 nuk janë paraqitur operatorët dhe pjesa tjetër për shkak të pamundësisë së operatorëve për ta përdorur pajisjen. Ky projekt mund të konsiderohet i suksesshëm dhe meritën kryesore e ka Pelinku e cila e udhëhequr që nga dita e parë këtë projekt”, duke iu referuar Lealba Pelinkut, nenkryetares se KQZ-se.

“Është një moment i rëndësishëm se lidhet me sigurinë e votimit, integritetin e votës dhe shpresoj edhe këtë fazë të përmbushjes së angazhimeve të tyre, komisionerët do ta bëjnë në përputhje me kodin”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *