Shqipëria voton/ Deri në orën 16:00, pjesëmarrja në votime rreth 38%; Kim dhe Soreca deklarata për të nxitur qytetarët të votojnë
Ndërsa shqiptarët po vijojnë t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e ardhshme, deri në orën 16:00 kur ka qenë dhe dalja e fundit për mediat e zëdhënëses së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, rezulton se ka votuar 38.4% e zgjedhësve. Kjo e dhënë që deklarohet zyrtarisht nga KQZ-ja, i referohet vetëm 1612 qendrave të votimit, nga 5199 qendra që ka gjithsej. Në përgjithësi, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, pjesëmarrja në proces sot, ka qenë më e lartë
“Deri tani procesi i votimit ka vijuar normalisht, përvec pak incidenteve të vogla jo të ndonjë rëndësie të vecantë. Aplikacioni i KQZ-së që llogarit pjesëmarrjen, i bllokuar pak kohë më parë, tani vijon të punojë normalisht”, tha Hoxha.
Pritet që orët e pasdites, sic ka ndodhur edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, qytetarët t’i drejtohen në shumicë qendrave të votimit, cka do të bëjë që përqindja e pjesëmarrjes do të rritet ndjeshëm.
Përvec drejtuesve politikë që kanë vijuar të bëjnë thirrje për dalje massive në votime, kanë qenë edhe ambasadorja amerikane Kim dhe ambasadori i BE-së Soreca, që iu ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të marrin pjesë në këtë proces, teksa kanë ngelur edhe pak orë. Gjatë fjalës së tij para mediave, Soreca iu bëri thirrje politikanëve që të respektojnë rezultatin.
“Ka qenë kënaqësi që kemi shkuar në vende të ndryshme të Shqipërisë, së bashku me mikeshën time, ambasadoren Kim. Mua personalisht, më pëlqen shumë kur bisedoj me qytetarë të Shqipërisë. Komentet që kemi marrë sot, kanë qenë të qarta, se Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Në fakt votimi ka ecur kryesisht mirë, pa probleme, pavarësisht disa gjerave të ndryshme që mund të kenë ndodhur, që do të hetohen dhe procedohen.
Ka ende 3 orë kohë, ndaj thirrja jonë është për qytetarët e Shqipërisë. E dimë se është një ditë e bukur moti, por duhet të vini të votoni. Pas votimit, ju lutem presim me durim. Po ashtu edhe për udhëheqësit politik. Kini durim dhe respektojeni se cili do të jetë rezultati. Edhe tani që po flasim, kemi ekipe tonat që janë në të gjithë Shqipërisë. Po i ndjekim gjerat nga afër. Votoni, votoni, për të ardhmen e Shqipërisë në BE.”, tha Soreca nga Durrësi.
Ndërsa ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, tha se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje tregon se qytetarëve shqiptarë iu intereson vendi i tyre.
Mes të tjerash, ambasadorja Kim iu bëri thirrje kandidatëve për deputetë dhe drejtuesve politikë, që të presin për rezultatin e zgjedhjeve, pra të presin gjykimin e qytetarëve.
“Kemi parë pjesëmarrje të lartë. Kjo tregon se Qytetarëve shqiptarë iu intereson vendi i tyre. Janë raportuar disa incidente dhe është përgjegjësi e autoriteteve të hetojnë. Ne e kemi bërë shumë të qartë që të hetohen çështjet deri në fund. Qytetarët janë duke përmbushur detyrën e tyre. Autoritetet janë duke bërë detyrën e tyre. Tani ka ardhur koha që kandidatët dhe drejtuesit politikë të presin për rezultatet dhe të presin gjykimin e popullit”, tha ambasadorja Kim.