Gjykata e Strasburgut i tërheq veshin SPAK

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) urdhëron Shqipërinë të mos zbatojë vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sekuestrimin e kompjuterave dhe paisjeve të tjera elektronike të redaksisë, Lapsi.al.

Avokati i portalit, “Lapsi.al”, ka deklaruar për BIRN se, për vendimin është njoftuar nga Gjykata Europiane, me email, pasi ai dorëzoi kërkesën e gazetarëve Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, për të ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut thuhet se, më 21 prill 2021, (gjyqtari në detyrë) i ka kërkuar Qeverisë së Shqipërisë të ndalojë zbatimin  e vendimit nr.131, datë 18 prill 2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për sekuestrimin e pajisjeve të ruajtjes së të dhënave elektronike të Lapsi.al.

Mësohet se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka iniciuar gjykimin e çështjes para se, avokati i Lapsi.al t’i drejtohej me kërkesë zyrtare.

Gjykata e Strasburgut ka vendosur me një procedurë të njëjtë edhe për një çështje të ngjashme në Ukrainë.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme, me kërkesë të SPAK për sekuestrimin e kompjuterave të Lapsi.al, bashkë me telefonat e gazetarëve, shkaktoi furtunë reagimesh në rrethet mediatike në vend dhe u kritikua njëzëri edhe nga disa organizata ndërkombëtare, të cilat i nisën një letër të hapur autoriteteve në; Tiranë, Bruksel, Strasburg dhe Nju-Jork, duke përfshirë edhe Raporteren e Kombeve të Bashkuara për lirinë e shtypit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *