Ambasadorja amerikane, në gadishmëri “për të ulur gjakrat” në prag të zgjedhjeve
Ambasadorja amerikane Yuri Kim është duke ndjekur sekondë pas sekonde zhvillimet që ndodhin në Shqipëri, një ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, duke u kthyer në një “stabilizator” përballë skenës së nxjehtë politike në vend.
Pak minuta pasi kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Dibër Xhelal Mziu kërkoi ndjesë për një deklaratë të fortë që bëri nga Dibra, se ata që tentonin të blinin votën do të përfundonin të vrarë, duke sjellë shembullin e ngjarjes në Elbasan, ka reaguar ambasadorja Yuri Kim, duke mirëpritur ndjesën e tij.
“Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë këtë Shqipërinë larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë.”, shkruan ambasadorja Kim në një postim në Tëitter.
Ndërsa Mziu, nëpërmjet një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale tha se kërkon ndjesë publike për deklaratën e tij, të cilën e ka bërë për shkak të emocioneve të forta të momentit.