Nga sot ndryshon ora policore, mbyllja në orën 22:00
Nga sot ndryshon ora policore dhe bizneset do të jenë të hapura dy orë më shumë, ashtu siç do të lejohet dhe lëvizja e qytetarëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, kanë bërë të ditur dje vendimet e fundit, të lehtësimit të disa masave në vend.
Në vlerësim të situatës së 6 javëve të fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur zgjatjen e orës së qarkullimit të qytetarëve deri në orën 22:00 të mbrëmjes, duke filluar nga dita e sotme, 12 Prill.
Po kështu, aktivitetet e bareve dhe restoranteve do të jenë të hapura deri në orën 22:00. Do të vijojë të mbeten në fuqi të gjitha masat e orës police nga ora 22:00- 06:00 të mëngjesit.
Gjithashtu duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar, një shtet i cili ka pasur një ecuri shembullore sa i përket vaksinimit, rinisin fluturimet me këtë shtet.
Duke bërë me dije se lehtësimet po vijnë si rezultat i situatës po edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave antikovid.
“Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, me tendencë në rënie të përhapjes dhe kjo është vënë re nga java e tretë e Marsit dhe në vijim. Rënie është vënë re edhe sa i takon përqindjes së pozitivitetit të rasteve të reja, ku gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12%” , tha Manastirliu që shtoi se rënie është shënuar edhe në shtrimet në spitale. Prej 4 ditësh nuk ka pacientë në Spitalin COVID 4, ndërkohë që niveli i shfrytëzimit të shtratit është nën 30%, ndërsa terapia intensive nën 13%.