Ushtria merr Kullën e Kontrollit Ajror
Dhjetra blinda ushtarakë mësynë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, për të ndërprerë grevën e kontrollorëve të “Albcontrol” dhe për të marrë në dorë kontrollin ajror, si pikë strategjike e sigurisë kombëtare.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku kërkoi ndihmën e ushtrisë për të marrë kontrollin e trafikut ajror.
Ish Drejtoresha e Albcontrol, sot ministre, akuzoi vartësit e saj për pretendime absurde pasi, sipas saj ata paguhen 2400 dollarë në muaj.
Ministrja shpjegoi se paga e mëparshme 4400 dollarë është ulur për shkak të vështirësive ekonomike të “Albcontrol” gjatë pandemisë.
Por, kontrollorët e Rinasit reaguan pas deklaratave të ministres, duke i kujtuar se “Albcontrol” kishte bërë investime luksoze në godinë dhe se kishte hapur tender për lule dhe larjen e makinave.
Aeroporti i Rinasit pezulloi të gjitha fluturimet e sotme pasi, punonjësit e Kullës së Kontrollit Ajror ndërprenë punën në solidarizim të kolegëve që u pushuan ngapuna me urdhër të ministres Balluku, pas pretendimeve të tyre për uljen e pagave.