Prishtinë, Zgjidhet Presidenti i Kosovës

Kosova zgjodhi Presidentin e Republikës, duke shmangur krizën politike që rrezikonte të çonte vendin në zgjedhje të reja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u zgjodh me 71 vota në raundin e tretë e të një votimi maratonë në Kuvendin e Kosovës, pas përpjekjeve të pasuksesshme në dy raundet paraardhëse, që dështuan për shkak të mungesës së kuorumit dhe votave të pamjaftueshme për të zgjedhur presidentin, sipas Kushtetutës.

Në fjalën e saj pas betimit, Vjosa Osmani u zotua se do të punojë për çështjen kombëtare dhe do t’u shërbejë qytetarëve të saj pa dallim.

Presidentja e sapozgjedhur dha një mesazh inkurajimi edhe për vajzat dhe gratë, duke ju kujtuar se Kosova ka arritur të zgjedhë për herë të dytë në krye të shtetit njërën prej tyre dhe se ajo do të mbështesë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë të realizojë ëndërrat.

Ambasadorët në Kosovë përshëndetën zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të Presidencës kosovare. Edhe nga Tirana, Vjosa Osmani mori përgëzimet e para nga Presidenti, Ilir Meta, kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Vjosa Osmani është lindur në Mitrovicë. Studimet e larta dhe ato pasuniversitare i ka kryer në degën e jurisprudencës. Krahas jetës akademike, Vjosa Osmani është angazhuar edhe në politikë, me Lidhjen Demokratike të Kosovës, prej së cilës u largua zyrtarisht para zgjedhjeve të shkurtit 2021, ku iu bashkua Lëvizjës “Vetëvendosje”. Në këto zgjedhje Vjosa Osmani mori mbi 300 mijë vota elektorale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *