Prokurori kthehet në vetting, denoncime edhe nga gazetari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi shqyrtimin e ankimit të ushtruar nga Komisioneri Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Anton Martini.

Seanca u ndërpre pak minuta pas nisjes për një konsultë të nevojshme të trupit gjykues rreth kërkesës së subjektit të rivlerësimit për të shqyrtuar më parë pretendimin e tij se Komisioneri Publik e ka ushtruar ankimin jashtë afateve ligjore.

Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues, nën kryesimin e z. Ardian Hajdari, arsyetoi se pretendimi i subjektit të rivlerësimit nuk mund të shqyrtohet veçmas, porse ai do të konsiderohet si pjesë përbërëse e prapësimeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Pas këtij vendimi, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, duke theksuar se vendimi i konfirmimit në detyrë të prokurorit Anton Martini është i cënueshëm në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik arsyetoi në detaje gjetjet e ankimit dhe i qëndroi kërkimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit.

Subjekti i rivlerësimit përmes avokatit të tij paraqiti prapësimet për pretendimet se ankimi është ushtruar jashtë afateve ligjore dhe për ankimin në tërësi. Ndërsa prokurori hoshi poshtë pretendimet e ngritura në denoncimet e publikut lidhur me aftësitë e tij profesionale.

Në funksion të shqyrtimit gjyqësor, prokurori Martini dorëzoi në KPA disa akte shtesë dhe kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues pasi dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe prapësimet e subjektit të rivlerësimit, iu vuri në dispozicion tri denoncime të reja dhe vendosi shtyrjen e seancës për në datën 1 prill , ora 14:00.

Seanca u ndoq me kureshtje nga media dhe vëzhgues të institucioneve të huaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *