Elisabeta Imeraj, rasti maratonë i procesit të Vetting-ut

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht të premten, më 26 mars 2021, për emërimin e Elizabeta Imerajt në krye të Prokurorisë së Tiranës me një mandat të ri 3 – vjeçar. 

Po sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në një trup gjykuese të përbërë nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator dhe Suela Zhegu anëtare, shtyu shpalljen e vendimit për drejtuesen e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj. KPK nuk dha asnjë motiv për shtyrjen e vendimit ndaj Imerajt, as nuk përcaktoi datën kur do të shpallej ky vendim. 

Shtyrja e vendimit të KPK-së vjen pas një seance ndryshe nga të tjerat të zhvilluar të mërkurën, gjatë së cilës, vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e akuzoi subjektin e rivlerësimit për kryerjen e një numri të madh veprash penale, mes tyre, përgjime të paligjshme, deri shantazhim të anëtarëve të KPK-së. Për më shumë se 5 orë, Jacobs shprehu akuza të njëpasnjëshme ndaj kryprokurorës së Tiranës dhe përdori togfjalëshin ‘përpjekje të organizuar’ për të përshkruar ndikimin e paligjshëm në proces të Imerajt. 

Edhe pse Jacobs, njihet si një ndër vëzhguesit ndërkombëtarë më “të guximshëm” dhe kontroversë të procesit të vetting-ut në Shqipëri, ky ishte ndër rastet e rralla të akuzave të tilla publike ndaj një subjekti rivlerësimi. Jacobs e akuzoi Imerajn se kishte porositur njerëz që të shantazhonte me foto kompromentuese kolegun e tij Hans Kijlstra, i larguar tashmë nga ONM, si dhe përmendi dorëheqjen e ish-relatores Etleda Çiftja, që sipas saj, kërkonte të tërhiqej pasi 7-8 persona i kishin kërkuar “qëndrim më fleksibël” në çështjen ndaj Imerajt. Në një rast të mëparshëm, po në një seancë publike, Jacobs ka akuzuar prokuroren e Tiranës Donika Prela, se ka shkelur ligjin, pasi bashkëoshorti i saj nuk ka paguar tatimet dhe se deklaratat e mbrojtjes së saj, i lënë shijen që të lë pirja e ilaçeve në mëngjes. Megjithatë, akuzat e vëzhguesit ndërkombëtar në këtë rast, nuk kanë qenë kurrësesi kaq të ashpra sa në rastin e Imerajt, e cila i mohoi ato, duke i cilësuar trillime të pavërteta.   

Ndërkohë, të dhënat e procesit të rivlerësimit nga KPK-ja për prokuroren Imeraj, tregojnë se kemi të bëjmë me një proces maratonë, pasi seanca e parë dëgjimore nga KPK-ja është bërë, pas 2 vjetësh nga shortimi i çështjes, një periudhë kohore tërësisht e gjatë, krahasuar me rastet e tjera të vetting-ut. Gjithashtu, edhe shtyrja e shpalljes së vendimit për një datë të pacaktuar, e zgjat edhe më shumë procesin e rivlerësimit për Imerajn.  

Imeraj u emërua prokurore në vitin 2005 dhe punoi për 13 vite si prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në gusht 2018, ajo u komandua si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kishte kandiduar për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Më 26 mars 2021, emërohet drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, edhe pse ende nuk ka përfunduar procesi i vettingut ndaj saj. Ky emërim mund të lexohet në dy mënyra: si sugjestionim për vendim pozitiv nga KPK-ja për Imerajn, por më thjesht, edhe si nevojë për të mbushur një boshllëk në krye të Prokurorisë së Tiranës, për shkak të mospasjes së alternativave si pasojë e shkarkimeve të shumta nga Vetting-u.  

Elisabeta Imeraj, u bë e njohur për publikun, për herë të parë, si pjesë e grupit të prokurorëve të Komisionit Hetimor mbi heqjen e mandatit të deputetit Saimir Tahiri, që u zhvillua në tetor të vitit 2017 në Kuvendin e Shqipërisë.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *