Nis fushata, PS-PD përballje në dy sheshe
Basha: Ishte një mbrëmje e mrekullueshme! Rama: Fushata do të përfundojë me fitoren e mandatit të tretë historik!
Dy partitë kryesore në vend, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, kanë çelur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, rreth orës 18:00 të ditës së sotme. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndarë me qytetarët video nga aktiviteti i çeljes së fushatës zgjedhore që u zhvillua në sheshin “Nënë Tereza”, aty ku ishin të pranishëm mbështetës të shumtë.
Teksa ka ndarë videon, Basha ka shkruar në rrjetet sociale se mbrëmja e djeshme ishte e mrekullueshme e se me ndihmën e mbështetësve të Partisë Demokratike, do të sjellë ndryshimin që vendi ka nevojë.
Postimi:
Ishte një mbrëmje e mrekullueshme!
Me ndihmën tuaj ne do të sjellim ndryshimin për të gjithë shqiptarët dhe do të fitojmë. Së bashku për ndryshim #Shqipëria fiton!
Në të njëjtin orar, ka nisur edhe aktiviteti i çeljes së fushatës elektorale në sheshin “Skëndërbej” nga Partia Socialiste.

Objektivat për mandatin e tretë dhe respektimi i protokolleve Covid-19 për të shpëtuar jetë ishin karakteristikë e çeljes së fushatës zgjedhore të socialistëve të prezantuar në distancë, jo vetëm nga njëri-tjetri, por edhe nga publiku, që e ndiqte në rrjetet sociale. Fushata nisi me himnin kombëtar, të kënduar nga Vikena Kamenica, ruajtjen e distancës mes 153 kandidatëve, duke krijuar një skenografi simbolike të “trëndafilit” të socialistëve. Në fjalimin e tij, kryeministri Rama tha se PS do të fitojë mandatin e tretë për të përfunduar reformat e nisura dhe për t’i dhënë fund pandemisë duke bërë të mundur vaksinimin masiv të popullsisë.