Strasburgu legjitimon procesin e vetting-ut në Shqipëri
Strasburgu legjitimon procesin e vetting-ut në Shqipëri
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) në Strasburg shpalli sot vendimin për çështjen Altina Xhoxhaj kundër Shqipërisë, i cili është një vendim në favor të institucioneve që kanë zhvilluar procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.
GjEDNj hedh poshtë, me shumicë votash, pretendimet e ankueses Xhoxhaj për shkelje të së drejtës së një procesi të rregullt ligjor, për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut, të parimit të sigurisë juridike, si dhe parimit të së drejtës së respektimit të jetës private dhe familjare.
Me arsyetimin se nuk ka gjetur asnjë shkelje në proceset e zhvilluara nga institucionet e rivlerësimit, Gjykata e Strasburgut legjitimon procesin e vetting-ut të zhvilluar në Shqipëri, përkundrejt zërave që e konsideronin këtë proces si abuziv dhe në shkelje të ligjit.
Ky ishte vendimi i parë i Strasburgut që lidhet me ankimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar në Shqipëri nëpërmjet procesit të vetting-ut dhe pritej me interes të madh, pasi ishte një provë vlerësimi për procesin e vetting-ut në tërësinë e tij.
Përveç ankimit të ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese pranë GjEDNj-së, janë regjistruar edhe ankime të tjera si të ish anëtarit tjetër të kësaj gjykate, Fatos Lulo, ish prokuroreve Antoneta Sevdari, Besa Nikëhasani e të tjerë.