Teknologjia e karantinës “zmadhon” sekretet tona

Zoom, aplikacioni i karantinës po diskutohet për çështje sigurie. Video-konferencat me kolegët e punës dhe shokët e klasës po përdoren edhe nga qeveritë anekënd globit. BBC në vëzhgimin e tij shkruan rreth sigurisë së aplikacionit Zoom në komunikimet zyrtare.

Këtë javë, Kryeministri britanik Boris Johnson, i infektuar nga coronavirus, postoi një foto duke drejtuar mbledhjen e kabinetit përmes video-konferencës.

Të njëjtën gjë bënë edhe liderët e G 20-ës dhe shumë liderë botërorë e europianë, të cilët drejtuan takimet e rëndësishme edhe në nivel të sigurisë kombëtare, përmes aplikacioneve online.

Por lind pyetja, sa i sigurt është ky aplikacion për mbledhjet e qeverive dhe ato me protokoll sigurie kombëtare?

Ministria e Mbrojtjes në Britani ka konfirmuar për BBC-në se nuk e përdor aplikacionin Zoom dhe ka siguruar se asnjë informacion i klasifikuar sekret nuk diskutohet në mbledhjet online të qeverisë britanike.

Qëndra Kombëtare e Kibernetikës , përmes një zëdhënësi të qeverisë, deklaroi se nuk ka arsye që aplikacioni Zoom të mos përdoret në komunikimet, ku nuk jepen infromacione sekrete.

I ashpër ishte reagimi i kompanisë “Zoom”, e cila siguron se është në komunikim të ngushtë me Ministrinë britanike të Mbrojtjes dhe me Qëndrën Kombëtare të Kibernetikës për të dokumentuar se shërbimi ofron siguri për përdoruesit. Zoom konfirmoi se mbi 2000 institucione të rëndësishme në botë përdorin shërbimet e tyre.

Ndërkohë Zoom, sipas ekspertëve të kibernetikës ka patur më herët probleme me sigurinë.

Zoom njihet si aplikacioni që sfidoi kufizimin e globit dhe aksionet e kompanisë u rritën nga 15 miliardë dollarë vjet, në 38.5 miliardë sot, në epokën e karantinës.

Zoom u programua në vitin 2011 nga inxhinieri i softwar-eve, Eric Yuan dhe konkuroi kundërshtarët e teknologjisë video si; Skype dhe Microsoft Teams.

Aplikacioni është falas, por paketa bazë e tij ofron një kohë të kufizuar në 40 minuta për më tepër se tre pjesëmarrës në video-konferencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *