Mercer: Tirana shënon koston më të lartë të jetesës në rajon
Tirana nuk është aspak qyteti më i lirë për të jetuar, në Europë apo rajon.
Anketa vjetore e Mercer, më prestigjiozja në nivel global në këtë drejtim, tregon se Shqipëria e përfaqësuar me Tiranën, në renditjen e qyteteve sipas kostos së jetesës, renditet e 172-ta në botë, ndër 209 shtete.
Renditja e përgjithshme i referohet kostos së jetesës për të huajt, por tregon realisht sesa i shtrenjtë është një qytet i caktuar. Sofja, Beogradi, Sarajeva janë më të lira se kryeqyteti i Shqipërisë, për të jetuar, thotë ‘Mercer’.
Më tej në Europë, Kievi dhe sidomos Sofia dhe Bukureshti rezultojnë të jenë qytete më të lira se kryeqendra e Shqipërisë, ku jeton edhe thuajse një e treta e popullsisë. Në raportin e kaluar, vendi ynë renditej i 186-ti në botë, po ndër 209 shtete.
Ndryshimi në renditje me 14 pozicione tregon për një shtrenjtim të konsiderueshëm të jetesës së banorëve të kryeqytetit në krahasim me popujt e tjerë, sipas “Scan”.
Të dhëna të tjera të publikuara së fundmi, si nga Eurostat ashtu edhe nga Komisioni Europian, tregojnë se çmimet në Shqipëri janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të kenë PBB dhe konsumin më të ulët për frymë në Europë.
Në nivel global, Tashkenti, kryeqyteti i Uzbekistanit është më i liri për të jetuar, ndërkohë që Hong-Kongu është qyteti më i shtrenjtë, i ndjekur nga Tokio.