Shantazhi me “dardhën”, Rama: “Vetting-u” në derën e politikanëve dhe biznesit.
Shantazhi me “dardhën”, Rama: “Vetting-u” edhe në derën e politikanëve dhe biznesit.
“Vettingu” troket në vjeshtë në derën e politikanëve dhe sipërmarrësve. Kryeministri Edi Rama deklaroi në Lushnjë, gjatë turit për llogaridhënien se Reforma në Drejtësi do të merret me të gjithë: politikanë e biznesmenë. Duke folur për numrin e lartë, sipas tij të ankesave që vijnë nga qytetarët për sistemin gjyqësor, Kryeministri ilustroi Reformën në Drejtësi me fjalën e urtë “dardha e ka bishtin mbrapa…”
“Një pjesë e ankesave që kemi marrë lidhet me proceset gjyqësore dhe kjo është arsyeja pse ne po shtyhemi fortë për të bërë reformën në drejtësi , për të pastruar sistemin nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Një pjesë e tyre përjashtohen për shkak të mosjustifikimit të pasurisë, por mos mendoni se do të mbarojë këtu, por dua të kujtoj se “dardha e ka bishtin pas”. Reforma do të merret me të gjithë, politikanë e biznesmenë.”
Deklarata e Kryeministrit vjen në një kohë, kur kundërshtarët politikë në opozitë e akuzojnë atë për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsion shtetëror. Por edhe nga radhët e sipërmarrësve janë shtuar” rebelët” që kundërshtojnë rritjen e taksave dhe propozimin e fundit që çdo firmë ndërtuese të japë 3% të fitimit për banesa sociale.

Kryeministri Edi Rama vijoi takimet më pas në Fier. Gjatë një bashkëbisedimi me një grup të përzgjedhur të rinjsh, të punësuar kryesisht në sektorin e Shëndetësisë, Kryeministri deklaroi se drejtorët e spitaleve, që u zgjodhën me konkurs, do të duhet të bëjnë “Shkollën e Drejtorit.”
Rama: “Dje ka nisur një shkollë për Drejtorët e Spitaleve me një kurrikul me disa sesione, ku drejtuesit e spitaleve do të bejnë kualifikimet. Janë bërë gati edhe kontratat e punës me kritere dhe objektiva. E njëjta gjë është menduar edhe për shefat e pavionëve dhe do të shtrihet në të gjithë sistemin. Po kërkojmë ndihmën amerikane për “Shkollën e Drejtorëve” që të kualifikohen sipas standardeve, pasi drejtimi kërkon orientim dhe me kritere performance.”- deklaroi Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë.”
Konkursi për Drejtorët e Spitaleve pati kundërshtime të mëdha në radhët e profesionistëve. Shumica e të përzgjedhurëve u etiketuan me lidhje politike, kryesisht me Partinë Socialiste në pushtet./ Rojtar.com