Çekia dhe Spanja i shtohen listës së vendeve pa kufizime COVID për shqiptarët
Ndërsa sezoni turistik ka nisur, nga Tirana International Airport (TIA) vjen një lajm i mirë: listës së vendeve që kanë hequr të gjitha kufizimet COVID – 19 për shqiptarët, i janë shtuar sot Çekia dhe Spanja. Vendet e tjera që e kanë ndërmarrë tashmë këtë vendim janë: Austria, Hollanda, Belgjika dhe Zvicra. Ndryshe nga Çekia që kërkon për shtetasit shqiptarë vetëm pasaportë, biletë dhe maskë, Spanja ka vendosur që nëse 14 ditët e fundit keni vizituar vende të tjera përpara udhëtimit në Spanjë, duhet patjeter PCR i 48 orëve të fundit, vaksinat e miratuara nga EMA apo OBSH, apo vërtetim i autoriteteve shëndetësore që e keni kaluar Covid 19.
Fakti që po shtohet dita – ditës lista e vendeve evropiane që e konsiderojnë Shqipërinë vend të sigurt sa i përket situatës COVID, pritet të ndikojë në një sezon turistik të suksesshëm.
Dy ditët në vijim janë programuar nga autoritetet shëndetësore në vend si ditë të vaksinimit masiv për persona mbi 18 vjeç që kanë aplikuar paraprakisht për të bërë vaksinën kundër COVID.