Ja vendet evropiane që heqin të gjitha kufizimet Covid për shqiptarët; Kapshtica, e mbyllur deri më 3 korrik
Ndërsa vendet fqinje si Greqia vazhdojnë të aplikojnë kufizime dhe teste Covid, janë disa, vendet evropiane që kanë hequr të gjitha kufizimet për shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt tyre. Sot, listës së këtyre vendeve u është shtuar edhe Zvicra, njofton Tirana International Airport (TIA).
Njoftimi i plotë
“Nga sot, 26 Qershor 2021, hiqen të gjitha kufizimet për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë në Zvicër.
Mjafton bileta, pasaporta dhe maska.
Vendet që nuk kërkojnë test apo vaksinë për pasaportat shqiptare deri tani janë:
Austria
Hollanda
Belgjika
Zvicra
Ju urojmë shëndet”.
Ndryshe është situata me vendin fqinj Greqinë, që ka mbyllur doganën e Kapshticës deri më datën 3 korrik, bën me dije nëpërmjet një njoftimi zyra doganore shqiptare, sipas së cilës, për shkak të situatës jo të mirë të COVID-19 në Greqi, dogana nga ana e palës së shtetit fqinj, ajo e Kristalopigit, do të jetë e mbyllur.
Kësisoj, deri më datë 3 korrik, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.
Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash).
Gjithashtu në njoftim thuhet se lejohet kalimi për 400 persona në ditë. Bëhet fjalë vetëm për punëtorët sezonale me leje pune nga autoritetet greke, dhe për asnjë shtetas si europian ashtu edhe shqiptar.
Mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojnë.