Moment i sikletshëm, zv/Presidentja Harris kujton Biden për tragjedinë në Florida
AP foto/ Evan Vucci – “Nuk dëshiron të thuash diçka tjetër, Joe?
Zëvendës Presidentja Kamala Harris duket se kujtoi Presidentin Biden të thotë dy fjalë për shembjen e ndërtesës në jug të Floridas, para se të mbyllë eventin e së enjtes së Shtepisë së Bardhë.
Biden kishte folur për çështje të infrastrukturës dhe të drejtën e votës. Më pas ai u përpoq të përfundonte duke u thënë gazetarëve “Duhet të kap helikopterin dhe ky ka qenë momenti kur Harris është afruar.
Presidenti dhe zv/Presidentja kanë shkëmbyer një bisedë të shkurtër duke pëshpëritur që ka përfunduar me fjalët e Harris: “Florida, po.”
“Oh, po. Kërkoj ndjesë,” tha Biden, duke u kthyer tek mikrofonat, ndërsa Harris u largua nga plani i kamerave. “Po, faleminderit, zonja zv/Presidente.”
Presidenti tha se ai ishte i gatshëm të aktivizonte ndihmën federale nëse do të ishte e nevojshme, por priste një kërkesë zyrtare nga Governatori i Floridas Ron DeSantis.
Dhjetëra vetë figurojnë të humbur dhe besohet se kanë gjetur vdekjen nën rrënojat e një kompleksi banimi pranë Majamit të Floridës që u shemb pjesërisht të enjten në mëngjes. Të paktën një person është konfirmuar i vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë nxjerrë deri tani gjallë nga rrënojat.
Një pjesë e kompleksit 12-katësh të banimit në zonën Sërfsajd në brigjet e Atlantikut u shemb në 1:30 pas mesnate. Deri në orët e vona të pasdites afro 100 vetë ende figuronin të humbur, thanë autoritetet, duke zgjuar shqetësime se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm. Zyrtarët nuk e dinë sa vetë ishin në ndërtesë në momentin e shembjes./Përshtatur nga New York Post