Bllokimi i negociatave, Ballkani, në revoltë ndaj BE-së

Një ditë pas vendimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të mos caktuar datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria, dy kryeministrat Rama dhe Zaev kanë qenë në një linjë duke sulmuar në mënyrë direkte Bashkimin Evropian.
Nga Shkupi, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Maqedonisë së Veriut, Rama deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk dështuan, por ajo që dështoi ishte vetë BE.
“Nuk është hera e parë që dështojnë në mosdhënies e mundësisë për Konferencën e Parë. Është pak a shumë si një çështje martese, ku gjithçka e ke bërë në rregull, dhe në fund nusja nuk paraqitet. Ne do vazhdojmë të ecim përpara, të bëjmë punën tonë’, tha Rama që edhe për refuzimet e mëparshme të vendeve skeptike si Holanda, fajësoi këto vende.
“Ne ishim gati edhe më parë. Fakti që disa vende më parë deklaronin që Shqipëria nuk është gati, kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ishte gati vërtetë, por kjo lidhet me çështjet e brendshme. Pra, nuk ishim gati, kur Holanda kishte çështjen e zgjedhjeve. Unë jam i shqetësuar sa ne bëjmë progres, jo për këtë. Ne nuk po e bëjmë këtë, pasi disa burra shteti në Bruksel na thonë se duhet të ecim përpara. Nuk jam aspak pesimist, edhe pse ata mund të dështojnë disa herë’, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp gjatë Forumit Ekonomik në Shkup, deklaroi se mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një dështim i politikës së BE-së.
“Vendimi i BE-së është një dëshpërim i madh për ne, por edhe një mossukses i politikës së Bashkimit Evropian” u shpreh Zaev që e cilësoi vendimin, të kushtëzuar nga vetoja e Bullgarisë, veçanërisht të padrejtë ndaj Shqipërisë.
“Kur Europa të jetë gati ne jemi gati. Vendimi është shumë i pandershëm për të dyja vendet, por mbi të gjitha është shumë i pandershëm për Shqipërinë”, tha ai.
Zaev paralajmëroi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të angazhoheshin më shumë për t’u afruar me njëra-tjetrën.
“Popujt dhe qeveritë tona, në mes të Ballkanit, demonstrojnë vlera evropiane. Ne me shpejtësi të madhe kemi nisur mënjanimin e barrierave dhe pengesave mes nesh. Kemi sfida të përbashkëta dhe kultura të përbashkëta,” tha Zaev.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *