Lulzim Basha analizon humbjen, mblidhet sot Kryesia e Partisë Demokratike
Pas rikonfirmimit për një mandat të tretë në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se po vijon të ndjekë hapat normalë të funksionimit të tij si kryetar, analizën e humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe reformimin e Partinë Demokratike.
Për këto arsye, sot në orën 11:00, është thirrur mledhja e Kryesisë, për t’i hapur rrugë edhe zhvillimit të Kuvendit Kombëtar në datën 17 korrik. Në mbledhjen e kryesisë do të diskutohet dhe do të lihen detyra konkrete për kryerjen një analize të rezultatit në çdo kuti votimi të zgjedhjeve të 25 prillit.
Edhe pse Lulzim Basha vijon ta cilësojë “masakër elektorale” 25 prillin, paralelisht do të evidentojë dhe do të gjejë zgjidhje për problemet brenda strukturave të partisë.
Anëtarët e Kryesisë pritet të diskutojnë gjithashtu edhe mbi procedurat e zgjedhjes së organeve drejtuese të partisë, edhe pse mandati i tyre nuk ka përfunduar, pasi mandati i Këshillit Kombëtar përfundon në vitin 2022, ndërsa ai i sekretariateve dhe nënkryetarëve përfundon në fillim të vitit 2023.
Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi që ka lajmëruar mbledhjen e kryesisë dhe rendin e ditës, nëpërmjet një mesazhi me celular:
“Të nderuar anëtarë të Kryesisë,
Ditën e premte, datë 18 Qershor 2021, ora 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë Rend Dite:
1. Miratimi i metodologjisë së analizës në nivel Qarku, Dege, Grupseksioni dhe Seksione për maskrën zgjedhore të 25 Prill.
2. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë më datë 17 Korrik 2021, dhe miratimi i rendit të ditës së Kuvendit”.