Kryeministri zbulon këshilltarin e tij
Ish-Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy këshillon Kryeministrin e Shqipërisë.
Lajmi u konfirmua nga vetë Kryeministri Rama, përmes një statusi në Facebook, të cilin u kujdes ta kalonte edhe përmes zyrës së komunikimit, e cila shpërndau foton dhe tekstin shoqëruas, ku Rama shkruan:
“Me një mik special në shtëpinë e tij në Paris, presidentin Nicolas Sarkozy, me të cilin kam privilegjin të këshillohem për sfidat e Shqipërisë dhe rajonit tonë, në rrugën e zhvillimit ekonomik e social, e të integrimit europian.”
Nicolas Sarkozy ka shërbyer si President i Francës nga viti 2007-2012.
Ai rikandidoi për një mandat të dytë presidencial, në atë kohë, në garë me socialistin, Françoi Hollande, por nuk mundi të fitonte.
Pikërisht për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, Nicolas Sarkozy, është marrë nën akuzë për financim të paligjshëm të fushatës.
Gjyqi ndaj tij filloi tri javë më parë në Gjykatën Korreksionale të Parisit.
Pardje, ish- presidenti francez, referuar të përditshmes, “The Guardian”, i kishte mohuar të gjitha akuzat e ngritura.

“A kisha ndonjë qëllim mashtrimi … isha i pakujdesshëm apo neglizhent. Unë zyrtarisht i mohoj të gjitha ato”, -i tha ish Presidenti, gjykatës, të marten, citonte “The guardian”.
Ish-udhëheqësi francez ishte në bankën e të akuzuarve me 13 bashkëpunëtorë dhe kolegë të tjerë në atë, që njihet si çështja “Bygmalion”.
Kjo skemë pretendohet se, financonte tubime ekstravagante politike me mijëra tifozë që tundnin flamurin për Sarkozy, i cili nga ana e tij luante rolin e një showman-i.
Nëse dënohet, Sarkozy rrezikon deri në një vit burg dhe një gjobë prej 3,750 €.
Në mars, ish-presidenti u dënua me tre vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm, vendim të cilin e ka apeluar. Sidoqoftë, ai nuk ka gjasa të kalojë një ditë të vetme në burg pasi, dënimet me burg prej një viti, ose më pak, mund të kryhen jashtë, në kushte të caktuara, përfshirë veshjen e një byzylyku elektronik ose mbylljen në shtëpi/ Rojtar.com