Papërgjegjshmëri, ja si shtohet ndotja në Tiranë (video)
Rreth orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, në Laprakë, makina që duket në video, po lëviz e pashqetësuar nga polici rrugor, edhe pse po emeton sasi gazi karbonik jashtë normales, si “dhuratë” për qytetarët e Tiranës. Ndërsa në vendet e tjera të botës, ndotja e ajrit konsiderohet një nga problemet kryesore për t’u gjetur zgjidhje të përhershme, në kryeqytet masat mbeten brenda sallave të konferencave të shumta që trumbetojnë pyjet orbitale ose numrin e pemëve të mbjella. Por, sasia e ndotjes në ajër e publikuar në raporte të ndryshme dhe shifrat në rritje të rasteve të diagnostikimit me kancer edhe në moshat e reja, flasin qartë se konkretisht nuk merret asnjë masë domethënëse. Rojtar.com u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të jenë më të përgjegjshëm referuar rasteve të tilla që dëmtojnë shëndetin e të gjithëve, për të mos folur pastaj për strukturat shtetërore që kryejnë kontrollin teknik dhe kolaudimin e automjeteve.