Turizëm nën gërmadhat e fadromës së kryeministrit?!
Shqipëria sa herë socialistët janë në pushtet e nis sezonin turistik nën gërmadhat e fadromave të kryeministrave të saj.
Historia e përsëritur po ndodh këto ditë nga jugu në veri, ku bregdeti po bëhet shkrumb e hi nga hedhja në erë e ndërtimeve, të pretenduara si të ndërtuara pa leje, madje pa leje 20-vjeçare siç ishte rasti i një biznesi në Ksamil.
Ndërsa në Velipojë, u raportua se “nën hundën” e qeverisë qenkan ndërtuar plot 13 ndërtime pa leje në kohën e fushatës elektorale.
Një dëshmi tjetër kjo e korruptimit të elektoratit, kësaj radhe investitor, për sa kohë IKMT-ja dhe policia e Shkodrës i paskan mbyllur sytë dhe fadramot në garazh.
Huqi i vjetër i qeverisë për të treguar muskujt te bizneset, që nuk i përgjigjen politikisht në jug e veri, nuk duhet të kalojë pa hetim.
Madje as kërcënimet e kryeministrit, që rrënojat e fadromave të tij t’i pastrojnë ata që kanë ndërtuar pa leje.
Le të kalojë njëherë “fadromisti” kryeministër nga lagjet e Tiranës e të qyteteve mbarë, të shikojë se çfarë ndodh me ndërtimet qeveritare për efekt të tenderave korruptivë në ujësjellësa, telefoni të lëvizshme, internet e lloj-lloj investimesh të sajuara.
Germadhat e këtyre ndërtim-shkatërrimeve i ka jo shumë larg zyrës së tij dhe t’i pastrojë ato bashkë me mbeturinat në oborret e pallateve për të cilat çdo familje paguan taksë pastrimi.
Por meqë është në bregdet, le t’u falet deteve dhe lumenjve dhe të ndërmarrë një aksion pastrimi dhe të mos dëgjojë gazetarët, por peshkatarët sesi, në rrjetat e tyre po bien mbejtjet spitalore e gjithçka tjetër çfarë konsumojnë qytetet.
Boll më me teorinë e fadromave, meqë “mjaft” e keni përdorur majtas e djathtas.