RSF publikon “World press Freedom 2021”, Shqipëria: Problematike!
Në kryeqëndrat botërore, sot u fol shumë gjatë për lirinë e shtypit.
Organizata botërore “Reporterët pa kufij” publikoi indeksin e përvitshëm për lirinë e shtypit, ku ngrihej shqetësimi se në mbi 130 vende, pandemia krijoi një mjedis censurues për gazetarët.
Për Shqipërinë raporti thekson kërcënimet e vazhdueshme të qeverisë për të rivotuar paketën anti-shpifje, në mënyrë që të marrë kontrollin e medias online. Në raport flitet për arrestimet e gazetarëve gjatë protestave kundër qeverisë dhe thirrjen telefonike të Kryeministrit, gjatë pandemisë, kur këshillonte shqiptarët të mbroheshin nga mediat.
Raporti i plotë për Shqipërinë:
“Qeveria rriti presionin mbi median në vitin 2020 duke e kërcënuar me rimiratimin e paketës anti-shpifje pavarësisht kritikave të organizatave të lirisë së shtypit dhe opinionit kundër të Komisionit të Venecias.
I bllokuar nga një veto presidenciale në vitin 2020, ky ligj rrezikon të rrisë censurën në një vend, ku qeveria tashmë kufizon qasjen e gazetarëve në informacionin e mbajtur nga shteti dhe përdor alokimin e licencave për të kontrolluar median vizive.
Sjellja e qeverisë ndaj medias inkurajoi biznesmenët dhe zyrtarët pro-qeveritarë të padisnin gazetarët, ndërsa përdorimi i gjuhës denigruese i ka kthyer reporterët në shënjestra të mundshme të sulmit.
Sulmet fizike janë të zakonshme dhe autoritetet nuk i dënojnë ato.
Në fillim të krizës së koronavirusit, Kryeministri Edi Rama nxiti publikun të “mbrojë veten nga media” dhe refuzoi të ndihmonte kur pandemia përkeqësoi problemet financiare të medias deri në atë pikë sa gazetat ndalën shtypshkrimin dhe nuk dolën në treg për afro gjashtë javë.
Pluralizmi i mediave dhe të ardhurat nga reklamat ranë kur disa programe u pezulluan pasi qeveria ndaloi pjesëmarrjen e më shumë se 2 personave në studiot televizive.
Përpjekjet për të kriminalizuar gazetarinë u rishfaqën kur policia arrestoi gazetarët dhe reporterët gjatë demonstratave.
Dy kanale televizive që janë kritike ndaj qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, “Ora Neës TV” dhe “Channel One”, u akuzuan për korrupsion dhe pjesëmarrje në krimin e organizuar nga një gjykatë speciale apeli në verën e vitit 2020. Zyrtarët e ministrisë së brendshme, të shoqëruar nga policia, morën në gusht 2020 kontrollin e dy kanaleve televizive, duke pretenduar se pronari i tyre dyshohej për trafik droge.
Pavarësisht këtij kërcënimi për pavarësinë e tyre editoriale, mediat krijuan një platformë për vetërregullimin etik, e para e këtij lloji në Shqipëri.”
Kosova, gjithashtu thuhet në indeksin e “Reporterëve pa Kufij”, ka zbritur 8 vende nga renditja e një viti më parë për shkak të numrit të lartë të sulmeve ndaj gazetarëve.
Raporti përmend edhe rastin e gazetares, Tatjana Lazarevic, e cila u arrestua nga policia gjatë pandemisë për shkelje të orës policore.
Gjithashtu në raport theksohet se në Kosovë për shkak të krizës ekonomike, të gjitha gazetat ndaluan botimin print dhe po zhvillojnë aktivitetin si media online.