“Superhëna” takohet me Tokën, nxitoni ta shikoni…
Përshtati në shqip: Oriada Shehu
Adhuruesit e hënës duhet ta përqafojnë fort muajin prill, pasi superhëna po formësohet dhe më 27 prill, ajo do të shfaqet plot madhështi.
Hëna e plotë e prillit do të jetë më e madhja dhe më e ndritshmja e vitit, ndërsa do të pasohet nga një e dytë, por më e vogël, ekzaktësisht një muaj më vonë, më 26 maj.
Kjo shfaqje e rrallë ndodh, kur hëna i afrohet pikës së saj më të afërt me Tokën.
“Supermoon” e këtij muaji do të arrijë kulmin e saj në orën 04.31 të mëngjesit, të datës 27 prill, por do të shfaqet e plotë në qiell për vëzhguesit rastësor në secilën ditë para dhe mbrapa kësaj date.
Hëna e plotë e prillit njihet, si “hëna rozë”, në traditën e fiseve indiane, që emigruan në SHBA. Por jo për shkak të ngjyrës, por sepse kjo dukuri natyrore ndodh me lulëzimin e pranverës, në hemisferën veriore. Në mënyrë me specifike, lulëzimi i një lloji myshku rozë, i quajtur “Phlox Subulata”, ndodh në këtë periudhë të vitit.
Hëna e plotë e prillit do të afrohet shumë pranë tokës, duke mundësuar secilin prej nesh ta eksplorojë atë nga afër, pa ndihmën e dylbyve apo teleskopit.
“Superhena” do të duket edhe më e madhe, kur të ngrihet mbi horizont për shkak të një efekti të quajtur “iluzioni i hënës”, ku syri mashtrohet për të krahasuar madhësinë e saj me objektet brenda vijës së shikimit, si pemët ose ndërtesat.
“Sepse këto objekte, relativisht të afërta, janë përpara hënës dhe truri ynë mashtrohet duke menduar se hëna është shumë më afër objekteve, që janë në fokusin e vështrimit tonë”,
– shpjegoi Mitzi Adams, një shkencëtar diellor tek Nasa’s Marshall Space Flight Center.
Parashikimet e motit nga “Met Office” sugjerojnë që fundi i Prillit do të jetë një mundësi e mirë për banorët e Mbretërisë së Bashkuar, që të bëhen dëshmitarë të superhënës rozë.
Le të shpresojmë, që edhe në Shqipëri, moti të jetë i favorshëm, që edhe shqiptarët të kenë mundësi të përjetojnë spektaklin e superhënës, ku besimtarët myslimanë futen në javën e dytë të agjërimit që i dedikohet faljes dhe ortodoksët janë në vigjilje të pashkës.
Linku origjinal i artikullit: https://www.independent.co.uk/life-style/gadgets-and-tech/space/full-moon-april-supermoon-b1828601.html