Shqipëri, AstraZeneca fut në garë Ramën me ministren
Në një kohë kur shtete si Danimarka kanë vendosur të bllokojnë përfundimisht përdorimin e vaksinës Astra Zeneca, për arsye se e lidhin me rastet e trombozës, që paraqiten në mosha të reja, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi sot, se të shtunën do të mbërrijnë, 40 mijë doza të AstraZeneca.
Gjatë vizitës në një qendër vaksinimi në Kamëz, Manastirliu deklaroi se deri më tani mbi 200 mijë të moshuar kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa sot kalohet shifra e 300 mijë të vaksinuarve.
“Vijojmë me vaksinimin masiv të popullatës +60 vjeç. Edhe në Kamëz, kemi filluar me të sëmurët kronikë, si prioritet. Sot arrijmë mbi 200 mijë të moshuar që kanë marrë nga një dozë.’’
Por, pak minuta pas kësaj deklarate, sfidon kryeministri, duke e dyfishuar në facebook numrin e vaksinave AstraZeneca, që pritet të vijnë këtë fundjavë.
Me vetëvlerësimin e tij, kryeministri iu drejtua publikut se, ai kur mposhti tërmetin dhe pandeminë, do t’ia dilte të realizonte edhe rritjen e fuqishme ekonomike.

Danimarka bllokoi dje, përfundimisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca, ndërkohë që Agjencia Europiane e Barnave, EMA, ka pranuar javën e kaluar efektet e mundshme negative të vaksinës së krijuar në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit, por ka vlerësuar, që benefitet e saj ishin më të mëdha sesa, efektet negative.