Vetting/ Komisioneri Publik ankimon vendimin për konfirmimin e gjyqtares Elbana Lluri
Pasi ankimoi dje vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Lindita Male, Komisioneri Publik ka ankimuar sot vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Elbana Lluri.
Kanë qenë vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së që më herët ngritën pikëpyetje mbi analizën financiare të kryer nga KPK dhe kërkuan që pasuritë e gjyqtares Elbana Lluri dhe ish-bashkëshortit të saj, Gerd Hoxha t’i nënshtrohen një hetimi tërësor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Pasi ka vlerësuar rekomandimin e ONM-së, Institucioni i Komisionerëve Publikë (IKP) konstaton se “nga shqyrtimi i vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij”.
Njoftimi i plotë i IKP-se:
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.