Keqpërdorja nga PS e të dhënave të qytetarëve në e-Albania, SPAK nis hetimet
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi paraditen e sotme verifikimet për nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve në e-Albania, duke i krahasuar nëse janë të njëjta me ato të publikuara në media ditët e fundit.
SPAK do marrë kopje të të dhënave te e-Albania në kryeministri dhe do të hetojë gjithashtu, nëse ky database është vënë në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Në portalin Lapsi.al, në shkrimin me titull “Si na monitoron Rilindja nr e telefonit, nr, ID, vendet e punës, të dhënat konfidenciale”, janë hedhur akuza se “nën ethet e “mandatit të tretë” në 25 Prill, Partia Socialiste e ka çuar gjurmimin e votuesve në një nivel tjetër, duke i kaluar caqet e ligjshmërisë dhe duke vjedhur të dhënat e e-Albania për 910 mijë votues nga Tirana nga mosha 19 vjeç deri në 90 vjeç. Në atë që në PS që njihet si “Sistemi i Patronazhimit”, janë përfshirë edhe të dhënat personale të kreut të SPAK-ut Arben Kraja, madje edhe të kreut të SHISH-it Helidon Bendo.
Gjatë kohës së pandemisë, e-Albania ka qenë një ndër aplikacionet jetike, kur secili prej nesh është detyruar ta përdorë për një qëllim apo një tjetër.