Garë elektorale PD-PS për mbështetjen e të huajve
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri ka bërë pjesë të saj edhe Komisionin Evropian, pasi Komisionerja e BE për inovacionin, kulturën dhe edukimin Mariya Gabriel, i është bashkuar online një takimi të kreut të PD-së Lulzim Basha, gjatë të cilit është prezantuar programi për arsimin. Prezenca e komisioneres Gabriel është lexuar si mbështetje e qartë ndaj Partisë Demokratike dhe ka nxitur reagimin e pazakontë të kryeministrit Rama, i cili ka postuar dy statuse në twitter, ku i kërkon llogari dhe shpjegime Brukselit nëse komisionerët lejohet të marrin pjesë në takimet elektorale të popujve të Evropës.
Në fakt, të dyja kahet e politikës shqiptare, në çdo proces të rëndësishëm, kanë konkurruar për mbështetjen e të huajve. Këtë e kanë bërë në çdo mënyrë, sidomos në prag zgjedhjesh: me një foto, me një shtrëngim duarsh, me citim të një shkrimi nëpër mediat e huaja, apo me interpretimet e raporteve të Komisionit Europian si mbështetje të secilës palë.
Në shtypin e huaj, në gazetën gjermane “Tagesspiel” janë hedhur hipoteza se kryeministri Rama është përpjekur të tërheqë deputetët të CDU/CSU për interesa politike elektorale.
Rasti i sotëm, i bullgares Gabriel që është pjesë e një prej partive të djathta aleate me PD në grupin e PPE në Parlamentin Europian, vlen të veçohet, sepse ka bërë që kryeministri të ashpërsojë tonet, publikisht, në adresë të Brukselit.